Java e 27-të dhe që mbyll edhe fazën e tretë të kampionatit do e gjejë Vllazninë përballë Kastriotit. Sfidë që do luhet nesër në orën 17:45 në “Loro Boriçi” të Shkodrës. Dueli parashikohet i fortë, kjo edhe për vetë formën e mirë që po kalojnë krutanët, por edhe kuqeblutë që nuk duan të zhgënjejnë para publikut vendas.
Por brenda ndeshjes do ketë edhe një duel “kokë më kokë”. Një duel sulmuesish që të dy janë nën kontratë me ekipin e Vllaznisë, por që njëri prej tyre do jetë pjesë e Kastriotit nesër. Bëhet fjalë për Ante Aralica të kuqebluve dhe Kaina Nunes, sulmuesin brazilian të huazuar nga Vllaznia tek Kastrioti në merkaton e janarit.
Të dy futbollistët janë në kuotën e 7 golave në kampionat deri më tani. Ku duhet thënë se në periudhën pas janarit, Kaina ka kaluar një formë të shkëlqyer me Kastriotin. Shtatlarti brazilian ka shënuar 6 herë për krutanët, duke i dhënë atyre një dorë të mirë në garën për mbijetesë. Rivali i tij dhe ai që në njëfarë mënyre e “largoi” nga Vllaznia, Aralica në javët e fundit po tregon një nivel të mirë loje.
Madje kroati realizoi edhe kundër Partizanit në kupë, gol që u anullua padrejtësisht në atë sfidë. Një duel i drejtëpërdrejtë mes dy sulmuesve, ku Kaina do kërkojë që ti bëjë të “pendohen” që e huazuan në janar e në krahun tjetër Aralica për të treguar se pse drejtuesit i besuan gjatë gjithë sezonit që ai të ishte sulmuesi kryesor i Vllaznisë.
Endri ÇINARI