Bylisi pësoi një humbje përballë Kukësit në transfertë me rezultatin 2-0 përballë Kukësit në javën e shtatë të Superiores. Në një prononcim për “Oversport”, trajneri i ballshiotëve, Arian Bellai, u shpreh disi i zhgënjyer për këtë disfatë dhe kërkoi falje për protestat ndaj arbitrit në golin e parë të Kukësit, duke theksuar se VAR-i kishte të drejtë.

Unë i jap përgëzim çunave edhe pse humbën. Nuk mund të them se na mundi Kukësi, por ishin gabime tonat të pastra që fitoi Kukësi. Jam i kënaqur nga loja, vetëm na mungonte qetësia dhe finalizimi i saktë që të shënonim një gol e ti vinim në presion. Kishim qarkullim topi, edhe në pjesën e parë kishim raste.

Gabimet individuale humbën ndeshjen, por futbolli është lojë kolektive dhe të gjithë kemi faj për humbjen. Bëri mirë që erdhi kjo humbje që të rrimë pak me këmbë në tokë, nuk jemi ai ekip që të fitojmë çdo ndeshje. Ndoshta edhe mund të vinte barazimi, ishte gol me VAR, VAR-i ndihmon ata që shënojnë golin. Gjithsesi ne do të vazhdojmë, nuk e ulim kokën, do të vazhdojmë për ndeshjen e radhës me Tiranë që e kemi në shtëpi.

Kontestimet pas goli? Ne trajnerët bëjmë edhe gabime se na duket çdo gjë sikur është për ne, nuk është për ata. Por derisa ishte VAR-i, ishte e saktë. Në atë moment të gjithë reagojnë. Duket sikur të hanë hakun por edhe VAR-i e tregoi që ishte gol i rregullt.

Thjesht ngaqë nuk kemi shumë lojtarë me eksperiencë të madhe, nganjëherë kënaqësia në vetvete të sjell këto rezultate. Dhe të duket se mund të shënosh në çdo të diel po nuk është kështu. Gabuam se menduam se i bëmë 4 Erzenit e mund ti bënim 3 Kukësit, futbolli të ndëshkon siç na ndodhi sot.