Kastrioti arriti një fitore me përmbysje përballë Teutës në javën e shtatë të Superiores. Në një prononcim për “Oversport”, trajneri i krutanëve, Emiljano Çela, u shpreh i lumtur për këtë triumf, por duket se nuk i kanë pëlqyer disa vendime të arbitrit.

Sa rëndësi ka kjo fitore? – Patjetër që është fitore shumë e rëndësishme. Na bën të marrim frymë. Kishte ardhur një pikë kulminante, ku pas shumë ndeshjeve shumë të mira, ekipi nuk po merrte pikët maksimale. Luanim në fushën tonë. Kjo ndikoi në aspektin psikologjik te ekipi. Kemi punuar mirë. përpos kësaj kishim probleme të vogla me dëmtime. Linja qendrore e mesfushës ka bërë një sakrificë dhe një ndeshje të shkëlqyer. Të jemi të qetë, të rikuperojmë lojtarët që kemi dhe të përgatitemi për ndeshjen e Partizanit.

Pse në disa momente u nxehët me arbitrin? – Më pëlqeu ekipi sepse u ndëshkuam me një gol, që fal zotit ishte gol i shpejtë, sepse po të ishte më vonë do na rëndonte shumë. E nisëm në mënyrën më të keq. I përgëzoj çunat sepse ruajtën ekuilibrat, por edhe gjërat që kishim punuar gjatë javës. Pjesën e dytë u munduam që të vrisnim ndeshjen.

Provuam disa mënyra loje. U shfaqëm të rrezikshëm, por pa marrë golin e qetësisë. Me arbitrin isha i nervozuar sepse sinqerisht po na mbajnë shumë keq. Po na ndëshkojnë me kartonë, për kundërshtarët nuk interpretojnë në mënyrën e njëjtë. Atë që shikoja unë shikonte dhe anësori. E çuditshme. Ne na duhet të punojmë, sepse mund të ketë edhe kështu faktorësh që na ndikojnë. Sepse falë punës nuk ka arbitër që mund të na ndali.