Paraqitjet e mira të xhudistëve shkodranë në aktivitetet ndërkombëtare vazhdojnë sërish. Ditën e sotme katër sportistë të ekipeve të Vllaznisë dhe Vau Dejësit, kanë marrë pjesë në turnen e zhvilluar në Podgoricë të emërtuar “Mladost Open Cup”. Përveç tyre, kanë marrë pjesë edhe shumë sportistë nga ekipe të ndryshme të Ballkanit të cilët kanë konkurruar në grupmosha të ndryshme. Ekipet tona janë përfaqësuar me Luka Lukajn që ka konkurruar në peshën 46 kg, me Brikena Dinin po në 46 kg, me Anxhela Krasniqin në 63 kg dhe me Reoland Vasinë në peshën 60 kg.

Natyrisht që në çdo peshë ka patur rivalitet por dy prej sportistëve tanë kanë bërë një paraqitje shumë të mirë. Kështu, Sara Dini duke konkurruar në kategorinë “pioner” në peshën 31 kg, ka arritur të fitojë tre takime duke dalë në finalen e këtij turne ku është mundur nga një kundërshtare më me përvojë megjithatë xhudistja jonë është nderuar me vendin e dytë dhe medaljen e argjendtë. Një figurë të mirë ka bërë edhe Reoland Vasija që në kategorinë kadetë, ka fituar dy ndeshje dhe ka dalë në finale, por pa arritur dot të marrë medaljen e artë megjithatë edhe e argjendta është një sukses për të. Pjesmarrja e sotme e këtyre sportistëve është një tregues që Akademia “Albania Judo Kodokan” nën drejtimin e mjeshtrit të këtij sporti Anton Shkoza, vazhdon ta përfaqësojë denjësisht Shqipërinë në shumë aktivitete ndërkombëtare ku merr pjesë çdo muaj.
Gjergj KOLA