97 vjetori i krijimit të Klubit Vllaznia sot në Shkodër është festuar vetëm nga veteranët e mundjes të cilët tashmë këtë datë historike janë duke e kthyer në një festë tradicionale. Kështu ka ndodhur edhe sot kur është zhvilluar një ceremoni shumë interesante dhe në të kanë marrë pjesë edhe të ftuar nga Tirana dhe qytetet e tjera të Shqipërisë. Ka qenë i pranishëm edhe kryetari i komitetit Olimpik Kombëtar shqiptar Viron Bezhani, presidenti i Federatës së mundjes Martin Biba etj.

Ai që e ka hapur këtë aktivitet ka qenë peshëngritësi i njohur Faruk Kalleshi që fillimet e tij në sport në fakt i ka në mundje. Më pas i ka dhënë fjalën organizatorit kryesor të këtij aktiviteti, Tonin Demës që në fjalën e tij ka kërkuar të mbahet edhe një minutë heshtje në nderim të figurave të mundjes shkodrane që nuk jetojnë më. Më pas, Dema ka folur edhe në lidhje me këtë organizim duke thënë. “Unë personalisht ndjehem shumë i vogël të flas para emrave kollosë të mundjes shqiptare. Megjithatë e rëndësishme është që të mblidhemi sa më shpesh dhe për më tepër në një datë historike siç është sot 97 vjetori i krijimit të klubit Vllaznia. Një përvjetor që e gjen mundjen shkodrane në fakt në kushte skandaloze dhe kuptohet që të gjithë ne por edhe strukturat shtetërore dhe ato sportive, duhet të ndjehen fajtorë sepse kemi të bëjmë me një traditë të madhe të këtij qyteti në këtë sport. Për këtë arsye, sëbashku duhet të mendojmë ta ringremë edhe njëherë mundjen në nivele të larta”- ka thënë ai.Ndërkohë më përshëndetur edhe presidenti i Federatës së Mundjes Martin Biba që ka uruar klubin shkodran për këtë ditëlindje. “Më vjen mirë që jam prezent në një festë të tillë dhe jam i kënaqur që kam përballë emra që kanë shkruar historinë e këtij sporti. Mundja edhe sot me Dedë Bregun, Nazmi Elezin dhe një sportist të veçantë siç është Qamil Bajrami, po mundohen të përfaqësohen sa më denjësisht por unë shfrytëzoj rastin që t’i kërkoj klubit Vllaznia dhe Bashkisë Shkodër që t’i kushtojnë më shumë vëmendje këtij sporti që ka nxjerrë shumë kollosë. Përveç ekipit të mundjes së lirë, duhet të ngrihet edhe ekipi i mundjes klasike dhe ato zinxhirë në mënyrë që emri i mundjes shkodrane të ngjitet sërish aty ku i takon”- ka thënë ai.Në fund, Federata Shqiptare e mundjes ka nderuar me një çertifikatë mirënjohje për kontributin e tyre në këtë sport, emra të tillë të mundjes shkodrane si Mhill Coli, Jonuz Rustemi, Selaudin Rexhepi, Dilaver Cufi, Artur Sukaj, Angjelin Sokoli dhe Astrit Meshnuni.
Gjergj KOLA