Teuta do të presë Vllazninë në xhiron e radhës në Superligë. Një “finale” mbijetese për të dyja skuadrat.

Në radhët e Teutës bëjnë pjesë dy futbollistë shkodranë, të cilët kanë veshur fanellën e Vllaznisë dhe kanë debutuar po me kuqeblutë në Superligë.

Arsid Kruja dhe Esin Hakaj janë dy lojtarët e Teutës, për të cilët, sfida kundër Vllaznisë ka një domethënie të veçantë.

“Ky është futbolli. Sot je këtu, nesër në një skuadër tjetër. Ne jemi profesionistë dhe duhet të japim maksimumin në atë ekip ku luajmë.

Jam pjesë e Teutës dhe do kërkoj të shënoj gol. Keq më vjen edhe për Vllazninë që ndodhet në këto pozicione, ashtu sikur edhe për Teutën”, tha Arsid Kruja për Supersport.

Ndërkohë që mbrojtësi shkodran, Esin Hakaj shprehet: “Ndeshje e vështirë dhe vendimtare. Vllaznia është ekipi i zemrës dhe qytetit ku jam lindur. Vllaznia ndodhet prej vitesh në këtë situatë, por ky është futbolli”.

Kruja dhe Hakaj e konsiderojnë Teutën më të favorizuar duelin kundër Vllaznisë.

“Ne do të hyjmë në fushë për ta fituar ndeshjen. Mendoj se jemi më të favorizuar duke qenë se do të kemi mbështetjen e tifozëve.

Besoj se do të triumfojmë. Shpresoj që të shënoj, pse jo”, deklaron Kruja.

“Teuta ka një avantazh të madh, sepse në këtë ndeshje tifozët do të jenë lojtari i 12-të.

Por, edhe ndeshjet direkte që kemi pasur, dy fitore janë për Teutën dhe një për Vllazninë. Objektivi ynë është fitorja në çdo ndeshje”, shprehet Hakaj.

Për sa i përket mbijetesës, Kruja deklaron: “Është një kampionat shumë i vështirë.

Ai ekip që do ta përballojë më mirë, ai do të shpëtojë. Besoj se deri në ndeshjen e fundit do të luftohet maksimalisht”, ndërsa Hakaj shprehet: “Shpresoj të shpëtojë Teuta dhe ekipi i zemrës, Vllaznia”.