Vllaznia luan nesër në orën 21:00 ndaj Universitateas së Kraiovës për turin e dytë të Conference League. Në stadiumin “Loro Boriçi”, kuqeblutë kërkojnë një paraqitje të mirë dhe rezultat pozitiv në ndeshjen e parë.

Interesi për këtë duel ka qenë i kënaqshëm deri më tani nga tifozët shkodran, që pritet të jenë të shumtë në këtë përballje. “Shkodra Sport” ka mësuar se deri më tani në këto çaste, janë shitur diçka më shumë se 6500-bileta, teksa me ritëm të kënaqshëm po ecën edhe pjesa e mbetur e tyre.

Kujtojmë se, sportelet pranë stadiumit “Loro Boriçi” do të jenë të hapura deri ditën e nesërme në orën 17:00. Ndërkohë, pritet që në orët e pasditës së sotme dhe ditën e nesërme të ketë më shumë fluks në biletari, pasi tifozët në vendin tonë si gjithmonë e lënë blerjen e biletës për momentet e fundit.

Interesimi ka qenë i madh, në një kohë që deri më tani nuk ka njoftim, nëse do të ketë transmetim të takimit në ndonjë nga TV shqiptare. Mungesa e transmetimit ne televizion, ka shtuar deshiren e tifozeve shkodrane per te qene te pranishem ne stadium dhe me siguri qe numri do t’i kaloje 10 mije vetet.
Maringlen ZHIVANI