Dy nga titullarët më të rëndësishëm të Vllaznisë, portieri Miroslav Vujadinoviç dhe mesfushori Kristian Dragoi, nuk do jenë në fushë ditën e dielë në ndeshjen e rradhës ndaj Tomorit. Konfirmimi për këtë ka ardhur mbrëmjen e sotme nga pjestarë të stafit mjekësor të kësaj skuadre. Sipas tyre, portieri Vujadinoviç ende nuk është bashkuar me skuadrën në stërvitje prej 11 ditësh sepse po merret me mjekun që e ka operuar në gju një vit e gjysëm më parë. Ai ka ndjerë sërish shqetësime në atë vend ku është operuar pikërisht në menisk dhe prandaj ka filluar një terapi për riaftësimin e plotë.

Një gjë e tillë e bën thuajse të pamundur aktivizimin në ndeshjen e së dielës. Megjithatë ka edhe pak shpresa por duket se edhe stafi drejtues tashmë ka filluar t’i japë besimin e duhur portierit tjetër- Enis Gjokoviç për të luajtur në këtë transfertë të vështirë. Nga ana tjetër, rumuni Dragoi filloi stërvitjen me ekipin këtë fillim javë por meqënëse ai kishte krijuar një pauzë, trajneri Duro në konsultim edhe me stafin mjekësor, ka vendosur që ta lërë dy ditë pushim të plotë në mënyrë që të rikuperohet ashtu siç duhet dhe për këtë arsye, sot Dragoi nuk është stërvitur me skuadrën e kjo gjë do ndodhë edhe nesër. Për rrjedhojë, ai nuk është planifikuar për të luajtur ndaj Tomorit teksa stafi po mendon për një tjetër futbollist në atë pozicion ku luan Dragoi.
www.shkodrasport.com