Fakti që kampionatet kombëtare të basketbollit ende nuk kanë nisur, i ka detyruar ekipet pjesmarrëse në to të mundohen të zhvillojnë disa ndeshje miqësore për të mbushur këtë boshllëk të tejzgjatur. Për këtë arsye, Vllaznia nesër (e premte) në orën 14.00 do të presë për një miqësore ekipin e Tiranës. Kjo ndeshje do të zhvillohet në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Kjo miqësore do t’i shërbejë trajnerit Bledar Gjeçaj për të parë edhe njëherë formën e ekipit, një javë para nisjes së kampionatit. Ai ka mbetur përgjithësisht i kënaqur nga ajo çfarë ato paraqitën në miqësoren tjetër që ata zhvilluan me ekipin e Ulqinit pak ditë më parë.

Miqësorja e sotme pritet të gjykohet nga një treshe shkodrane e përbërë nga Gajtis Basho, Jetmir Gogaj dhe Hans Trajer. Në fakt kjo miqësore pritet me interes për të parë edhe Tiranën, kampionen në fuqi të vendit, megjitatë tek kjo skuadër është krijuar një rrëmuje e madhe me krijimin e dy shoqatave, një të ish-presidentit të saj dhe tjetra që përfaqëson klubin Tirana. Edhe vetë Federata e ka shumë të vështirë të vendosë se cilën Tiranë do njohë teksa është krijuar një lëmsh i vërtetë.
www.shkodrasport.com