Eden Hazard ende sjell para te Chelsea, pavarësisht se u largua nga Anglia në vitin 2019 për të kaluar te Real Madridi në kulmin e karrierës së tij. Belgu zyrtarisht u tërhoq nga futbolli tetorin e kaluar, por pavarësisht kësaj, “Los Blancos” do të duhet të vazhdojnë t’i paguajnë disa bonuse klubit anglez, që ishin parashikuar në marrëveshjen fillestare. Aksesi në finalen e Champions League do t’i kushtojë rreth 5 milionë euro.
Po si ka mundësi që galaktikët spanjollë vazhdojnë ta paguajnë Chelsea për një lojtar që doli në “pension” më shumë se shtatë muaj më parë? “The Telegraph” na e ka shpjeguar këtë dinamikë të çuditshme, duke rrëmuar marrëveshjen mes dy klubeve. Hazard u transferua në La Liga në vitin 2019 për mbi 100 milionë euro, plus disa milionë euro bonuse të lidhura me paraqitjet dhe rezultatet e arritura nga ekipi i tij, veçanërisht në Evropë. Një nga bonuset më të fundit lidhej me finalen e këtij edicioni të Ligës së Kampionëve.
Lojtari e ndërpreu kontratën me Real Madridin verën e kaluar dhe doli në “pension” tre muaj më vonë, por zyrtarisht marrëveshjet e bëra me Chelsea janë ende të vlefshme deri më 30 qershor 2024, skadimin natyral të kontratës. Për këtë arsye anglezët do ta gjejnë veten me 5 milionë euro më shumë, pa bërë asgjë, për një lojtar që nuk aktivizohet prej disa kohësh dhe që ka pesë vite që është larguar nga Premier League.
“Los Blancos” do ta paguajnë bonusin e tyre, duke u përpjekur t’i japin fund kësaj historie që nuk shkoi siç e imagjinonin të gjithë. Me zbarkimin e tij në La Liga, Hazard u prit si fenomeni i ri i futbollit botëror, por aventura e tij në Spanjë ndoqi një trajektore të çuditshme, që çoi në “pensionimin” e tij nga futbolli vetëm në moshën 32-vjeçare. Vitet e fundit me “Los Blancos” luajti gjithsej 54 ndeshje, duke fituar një Champions League, pavarësisht se nuk ka qenë pothuajse asnjëherë protagonist./telesport/