Toni Kros i kthen përgjigje edhe një herë tjetër Bernd Shusterit për kritikat ndaj lojës së tij (e quajti një traktor me naftë në fushë).

“Pas tri vitesh që ne kemi fituar gjithçka me Realin, është normale që të ketë kritika. Por stili im i lojës nuk ka ndryshuar. Unë nuk kam bërë kurrë 28 sprinte për ndeshje. Është një idiotësi”, tha mesfushori i Gjermanisë në konferencën për shtyp përpara ndeshjes me Holandën.

I pyetur në lidhje me përjashtimet nga kombëtarja të trios bavareze: Zherom BoatengMats Humels-Tomas Myler, Kros nënvizoi:

“Kemi ende një skuadër të mirë. Nga Liga e Kombeve kemi humbur vetëm Matsin. Natyrisht që kemi ndryshuar disa gjëra. Por shumë prej lojtarëve që do të luajnë në këtë ndeshje kanë eksperiencën e 11-shes titullare.

Do të japim gjithçka për ta fituar ndeshjen. Unë nuk e shoh aspak pa shanse skuadrën tonë kundër Holandës”.

Pushimet e tij nga kombëtarja, të paktën për ndeshjet miqësore, mesfushori 29-vjeçar nuk i përjashton që të vazhdojnë edhe në të ardhmen, në mënyrë që ai të ruajë formën gjatë Europianit të pas një viti.

“Kishte një marrëveshje që lindi nga një ide e imja në ndeshjet e shkuara dhe gjeta konfirmimin e trajnerit. Objektivi i përbashkët i trajnerit të kombëtares dhe imi është që unë të mbërrij në nivel optimal gjatë Europianit të verës së ardhshme”.

Në krah të tij në mesfushë është rikthyer Kimish dhe ish-lojtari i Bajernit thotë se ai ndihet shumë komod përkrah bavarezit, i cili është rikthyer në rolin e tij natyral, atë të mesfushorit të qendrës, pas eksperimenteve në krah të djathtë të mbrojtjes për të zëvendësuar ishkapitenin Filip Lahm.

“E kemi treguar në ndeshjet e shkuara që funksionon dhe harmonizohemi mirë së bashku. Rezultatet nuk duken ende, por ne bëmë një ndeshje të mirë së bashku. Kuptohemi shumë mirë me njëri-tjetrin dhe është një alternativë për të ardhmen”.