Sfida e kësaj ndaj Tërbunit konsiderohet konsiderohet shumë e rëndësishme në kampin shkodran. Vllaznia ka arritur të lërë poshtë vetes në renditje me golaverazh ekipin e Bylisit dhe në rast fitoreje këtë javë ndaj pukjanëve, do t’i lërë edhe ata poshtë vetes në renditje duke bërë kështu që në kampin shkodran të ketë disi më shumë qetësi. Trajneri Grima dhe stafi i tij kanë nisur javën e përgatitjeve për sfidën që do të luhet ditën e shtunë në orën 14.00 në stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës. Vendasit nuk po kalojnë një moment të mirë që pas largimit të trajnerit Nikaj dhe natyrisht kuqeblutë do të kërkojnë ta shfrytëzojnë këtë gjë.

Natyrisht që kjo nuk mjafton sepse kundërshtari duhet mundur në fushë. Stafi teknik do të ketë vetëm një mungesë të sigurtë në këtë ndeshje, atë të mesfushorit serbo-boshnjak Sead Haxhibuliç. Ky i fundit ka plotësuar numrin tre të kartonave të verdhë dhe prandaj është i pezulluar për takimin e kësaj fundjave. Nga ana tjetër, disa futbollistë kanë patur probleme të vogla dëmtimesh dhe kryesisht më shqetësueset kanë qenë ato të portierit Dragojeviç dhe mbrojtësit Marku por me punën e fizioterapistit Haxhaja, duket se ato kanë kaluar dhe të shtunën të dy do të jenë në fushë. Të gjithë janë të vetëdijshëm se duhet sakrifikuar pak në këtë moment. Skuadra ka nevojë për pikë dhe më shumë sesa ndaj Tërbunit, nuk ka shans tjetër që të merren më lehtë. Kuptohet edhe në këtë përballje nuk do të ketë asgjë të sigurtë por loja e mirë që Vllaznia bëri në ndeshjen e fundit me Kukësin, është një garanci për një vazhdimësi të tillë në lojë dhe rezultate.

www.shkodrasport.com