Përgatitjet për kampionatin kombëtar të boksit tashmë kanë hyrë në fazën e tyre finale dhe kuptohet që tashmë kanë mbetur vetëm detajet e fundit të tyre. Ekipi i Vllaznisë me kryetrajnerin Zef Gjoni si dhe stafin e tij të përbërë nga Jozef Sermi, Lazarin Vila dhe Besnik Limani si dhe me sportistët, tashmë janë fokusuar tek ndeshjet e kampionatit që do të zhvillohet në datat 23-25 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës. Pas grumbullimit dyjavor në pikën turistike të Zogajve pak kohë më parë, ekipi shkodran nga dita e djeshme ka nisur një tjetër grumbulli. Këtë herë sportistët janë akomoduar në një nga hotelet e qytetit ndërkohë që zhvillojnë dhe dy seanca stërvitore në ditë. Kjo gjë është mundësuar falë sponsorizimit të presidentëve të këtij ekipi Flamur Hoxha dhe Gjergj Livadhi. Po bëhet çmos që sportistëve t’u krijohen të gjitha kushtet për stërvitje dhe përgatitje sepse objektivi është i qartë: shpallja kampion. Ky titull që do të jetë i 20-ti jubilar për Vllazninë, po kërkohet me insistim dhe nëse nuk është arritur vitin e kaluar, me siguri që do të arrihet sivjet, për më tepër që kampionati do të zhvillohet në Shkodër dhe boksierët e Vllaznisë do të kenë mbështetjen e zjarrtë të tifozëve të këtij qyteti. Rivaliteti megjithatë pritet të jetë i madh, sidomos me ekipin e Tiranës i cili edhe ai ka kohë që përgatitet për këtë kampionat. Nisur nga kjo, me shumë mundësi kampionati që do të zhvillohet javën e ardhshme, pritet të jetë një nga më të bukurit e zhvilluara këto vitet e fundit. Tek Vllaznia janë të bindur se do ia dalin. Këtë e thotë kapiteni i ekipit Nelson Hysa por edhe boksierët e tjerë, Kristian Demaj, Asmer Bilali, Kristian Shytani, Ronildo Piranej, Arjol Kajoshi, Emanuel Kaçaj etj të cilët nisur edhe nga përgatitjet që kanë bërë gjatë gjithë kësaj periudhe, besojnë tek suksesi.
Gjergj KOLA