Garat e sotme dhe suksesi i 12-të rradhazi i ekipit të atletikës për meshkuj i Vllaznisë në fakt kanë qenë të pritshme sepse shkodranët po tregojnë supermacinë e tyre në atletikën shkodrane dhe kështu bënë edhe sivjet kur u kurorëzua sërish kampion.

Por risia e ditës së dytë të kampionatit të 82-të kombëtar ka qenë rezultati i arritur nga atleti i Vllaznisë Heldi Valikaj. Në kërcimin trehapësh ai ka kërcyer në distancën 15.51 metra dhe me këtë rezultat ka zënë vendin e parë duke u shpallur kësisoj kampion kombëtar me të rriturit, ndonëse është vetëm 18 vjeç.

Një rezultat i tillë është vlerësuar maksimalisht nga specialistët dhe për rrjedhojë, ka arritur të grumbullojë më shumë pikë olimpike se të gjithë atletët e tjerë meshkuj pjesmarrës në këtë kampionat dhe për këtë arsye, në fund është vlerësuar nga gjyqtaria si sportisti më i mirë i aktivitetit.

Gëzimet për Heldi Valikajn nuk kanë marrë fund këtu sepse me rezultatin 15.51 metra që ai ka arritur sot, ka thyer rekordin kombëtar të 20 vjeçarëve në këtë garë. Rekord ky që ishte në fuqi që prej vitit 1986 kur ishte arritur nga atleti Edmond Marpali me distancën 15.26 metra.

Atleti i Vllaznisë kësisoj e shkruan emrin edhe si rekordmen i kësaj disipline dhe me siguri që në ardhmen do të ketë të tjera rezultate të larta. Rekordi dhe titulli kampion i sotëm është frut i punës shumëvjeçare të bërë prej tij me trajnerin e mëparshëm Fatjon Serhati dhe tashmë me trajnerin aktual Dorian Tafa.
www.shkodrasport.com