Mes një morie vendimesh të Komisionit të Disiplinës që u publikuan dje nga Federata Shqiptare e Futbollit, bie në sy dënimi me 30 ndeshje i trajnerit të Lushnjës në futbollin e femrave, Hekuran Korreshi.

Një ndëshkim i tillë, aq më tepër kur bëhet fjalë për një ndeshje vajzash, do të thotë se trajneri duhet të ketë kryer një vepër vërtet të rëndë dhe logjikisht mbetet edhe i papunë për një kohë të gjatë në botën e futbollit.

Tekniku lushnjar u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen Lushnja-AAS, e vlefshme për javën e 15-të të kampionatit kombëtar, takim i zhvilluar mesditën e së martës në stadiumin “Roza Haxhiu” të Lushnjës.

Më tej erdhi edhe dënimi i rëndë me 30 javë nga Disiplina. Pas pezullimit gazeta kontaktoi me trajnerin Hekuran Korreshi, i cili ka dhënë versionin e tij për ngjarjen. Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri Hekuran Korreshi flet për dënimin, ndërsa mohon akuzat që janë ngritur ndaj tij:

“Unë jam interesuar për ndonjë gabim në shifra. Pra, mos jam dënuar tri javë. Kam mësuar se jam dënuar 30 javë, pra plot një kampionat e gjysmë. Në relacion, qenka shkruar se pas ndeshjes kam ndjekur gjyqtaret me makinë. Diçka e padëgjuar ndonjëherë. Gjyqtaret kanë ardhur me tendencë, për të më dënuar.