Padyshim që situata aktuale e Vllaznisë i ka bërë të ndjehen keq të gjithë pjestarët e saj.

Edi Martini, një ish- futbollist dhe ish- trajner i kuqebluve, kërkon të mbajë sërish shpresa tek mbijetesa dhe në një prononcim të sotëm për mediat, është shprehur:

“Matematikisht Vllaznia akoma nuk është e rënë nga kategoria dhe shpresoj, madje kam akoma atë besimin që mund të ndodhë diçka që ajo të shpëtojë.

E them këtë sepse Kamza do të ndeshet me Laçin dhe Partizanin, dy skuadra që luajnë për Kupat e Europës.

Prandaj shpresoj deri në sekondën e fundit që Vllaznia mund t’ia dalë”. Po pse ka ardhur kjo situatë deri në këtë pikë?

Martini e ka një përgjigje për këtë gjë kur thotë: “Kur shkon tek doktori, atë të thotë kujdes këtë gjë apo atë gjë sepse ndryshe do ta pësosh.

Vllaznia ka pesë vjet që është në këto ujëra dhe sidomos këto dy vitet e fundit. Ishte e paralajmëruar një situatë e tillë.

Dështimin e sivjetëm më shumë e quaj teknik sesa përgjegjësi të drejtuesve. Jo se dua t’ia dal Zot Bashkisë sepse ajo ka gjynahet e veta.

Mbi të gjitha në kërkesën e llogarisë ndaj trajnerit, i mungonte njeriu i ndërmjetëm për të ndërlidhur gjërat në mes stafit dhe klubit.

E meta e dytë e Vllaznisë në raport me Kamzën ishte mosndryshimi i trajnerit më herët.

Kamza e nuhati këtë gjë, solli në krye të ekipit një frymë të re dhe ia doli të rikthente rezultatet pozitive.

Ndërsa Vllaznia nuk e bëri këtë gjë. Në fakt skuadra shkodrane kishte nevojë për një frymë të re që të karikonte ekipin”.

Pak ditë më parë, Martini ka publikuar një foto me djalin e tij në stadium ku shkruante se nuk kishte se çfarë t’i thoshte atij për Vllazninë.

Më gjerësisht e ka shpjeguar në prononcimin e sotëm, atë çfarë ka patur në mendje: “Unë e çoj djalin tim sot në stadium dhe nuk di t’i them se kujt duhet t’i ngjajë, kush duhet të jetë idhulli i tij.

Në kohën time ishte ndryshe. Babai më çonte në stadim dhe unë kisha krijuar idhujt e mi, kisha Ferid Rragamin, Hysen Zmijani, Luan Vukatanën, madje mbaja mend shumë pak edhe Sabah Bizin.

Nëse sot do të çoheshin nga varri Loro Boriçi, Din Zhega, apo Esat Rakiqi, çfarë do të thoshin duke e parë Vllazninë në këtë gjendje.

Secili prej nesh është munduar të lërë me aq sa mundet gjurmë në historikun e mrekullueshëm të kësaj skuadre por asnjëri se kishte menduar që gjërat do të shkonin deri këtu”- thotë në fund ai.
www.shkodrasport.com