Edy Reja ka qenë i pranishëm në ndeshjen miqësore mes Italisë U-19 dhe Shqipërisë U-19. Trajneri i kuqezinjve ka analizuar shkurtimisht takimin për mediet italiane dhe më pas është ndalur te puna e përfaqësueses së Shqipërisë. Në fjalën e tij, trajneri i Kombëtares ka thënë:

“Jemi sjellë mirë në pjesën e parë, por më pas doli në pah cilësia dhe u mposhtëm. Gjithsesi jam i kënaqur nga ajo që pashë, pasi skuadra e Cungut luajti vërtetë mirë. Në Shqipëri po punohet shumë mirë, pasi stafi është thuajse i gjithi italian dhe unë jam atje prej tre vitesh. Shpresojmë të gjejmë ndonjë element të rëndësishëm pasi duam pjesëmarrjen në Europian. Megjithatë duhet rriten prurjet nga kampionati shqiptar dhe jo vetëm të presim nga jashtë.

Kristjan Asllani – Asllani ka bërë gjëra të mëdha kur ka luajtur dhe unë i kam dhënë mundësinë të debutojë, ku ka shfaqur shumë personalitet. Ka nevojë për eksperiencë, në mënyrë që të shndërrohet i rëndësishëm, por ka treguar tashmë se ka shumë cilësi.

Nedim Bajrami – Shpresoj që Bajrami të shkojë te Fiorentina, pasi është shumë i talentuar. Te Empoli ka treguar shumë kualitet, megjithatë unë e shoh mjaft mirë edhe te Fiorentina aktuale, pasi mund të luajë në mesfushë dhe në të gjithë rolet pas sulmuesit kryesor. Ka cilësi teknike, shpejtësi dhe goditje mjaft të mirë të portës”, ka përfunduar ai./newsport/