Nderimi dhe pritja e Kampionit të Botës në mundje Elis Gurit në Shkodër, qytetin e tij të lindjes ka qenë propozimi që është bërë jashtë rendit të ditës në Këshillin Bashkiak të Shkodrës në mbledhjen e tij të radhës. Ka qenë këshilltari i PBDNJ, Erogen Vaso ai i cili e ka hedhur si propozim që me pas ka marrë miratimin në parim të të gjithë këshilltarëve. “Elisi fitoi me flamurin e Bullgarisë, por mos harroni se festoi me flamurin e Shqipërisë.

Pse nuk është menduar fare që t’i bëhet një pritje sepse padyshim që e meriton më shumë se askush. Ne e miratojmë nëse ka ndonjë fond për këtë Kampion Bote që është djalë i Shkodrës në mënyrë që t’ia bëjmë siç duhet pritjen dhe jo sa për të kaluar radhën” – ka deklaruar Vaso deri diku edhe me një ton të ashpër qortues dhe me një kërkesë llogarie të natyrshme. Genc Uruçi përfaqesuesi i Opozitës ka kërkuar një pritje madhështore për Elis Gurin. “Mua më pëlqen që Këshilli Bashkiak është dakord që ne t’i bëjmë një pritje dhe një ceremoni shumë madhëshore me drejtimin e strukturës të Bashkisë me në krye Kryetarin Lorenc Luka. Për këtë ne si Opozitë që sot propozojmë që Këshilli Bashkiak dhe ju bashkë me të me një vendim që besoj do jetë unanim, të sigurojmë fondet përkatëse. Ka dalë Kampion Bote flamurin e Bullgarisë sepse në Shqipëri atij djali nuk i jemi gjendur, nuk e kemi mbështetur, nuk e kemi financuar dhe me një mikpritje në Bashki, në Shkodër do të bëjmë autokritikën e këtij gabimi” – ka deklaruar këshilltari i majtë Uruçi. Më tej fjalën e ka marrë. Propozimi ka gjetur mbështetjen e maxhorancës, por përfaqësuesi i djathtë Qashif Hoxha ka deklaruar se pa propozimin e të gjitha institucioneve duke nisur që nga Bashkia Shkodër e deri tek “Sport Klub Vllaznia” nuk mund të realizohet pritja e Elist Gurit. “Ne nuk jemi kundër që Kampioni i Shkodrës për fat, të respektohet deri në fund, por kjo është një porcedurë që pa kërkesën e qoftë administratës të Bashkisë, qoftë “Sport Klub Vllaznia”, qoftë të gjitha institucioneve përkatëse nuk mund të miratohet një shpërblim apo të bëhet një pritje për të. Kështu që them që në mbledhjen e ardhshme të bëhet një propozim nga dikush që ka kopetencën e duhur dhe brenda mundësive ne mund t’i japim Elisit stimul moral por edhe material sepse është një nder i madh për ne e për qytetin e Shkodrës e mbarë Shqipërinë” – ka theksuar Këshilltari i majtë Qashif Hoxha. Më i ashpri në diskutim ka qenë Nikë Kodra. Ish-Kryetari i Komisionit të Sporteve në Këshillin Bashkiak ka theksuar se Bashkia Shkodër duhet të mendojë më gjatë dhe jo kur Kampionë të tillë si Elis Guri marrin rezultate të larta në emër të shteteve të tjera ne t’i bëjmë pritje por të gjehen mundësitë që këto sportistë elitar të mos lejojmë që të largohen por të nderojnë në emër të Shkodrës e Shqipërisë. “Jam shumë dakord që s’duhet të bëhet sot pritja por pas një muaji, pasi mendoj se Këshilli jonë, Komisioni Sporteve që do ngrihet duhet të mendojë jo thjesht t’i bëjnë ceremoninë apo të japin shpërblime një sportisti kur del Kampion bote me një shtet tjetër por të marrim masa të menjëhershme që të mos lejojmë që edhe Qerimaj të largohet e mos të lejojmë që edhe “gurët” e tjerë që të na dalin Kampion Bote me shtete të tjera e pastaj t’i bëjmë ceremony në Shkodër. Të marrim masa e të gjejmë mënyrat që t’i përgatisim në Shkodër, t’i nxjerrim në Shkodër, të dalin me flamurin e Shkodrës në tapet dhe do të jetë shumë më mirë për Shkodrën, për Këshillin Bashkiak e po ashtu për Shqipëinë. Të parashikohet e ardhmja dhe jo kur na ndodhin të tilla gjëra si rastin e Elisit të jemi të papërgatitur” – ka përfunduar Kodra. Në këtë mënyrë pritja për Kampionin e Botës Elis Guri është lënë të diskutohet për mbledhjen e ardhshme që do të jetë afërisht pas një muaji dhe nga ku padyshim pritet që të miratohet me vendim unanim në mënyrë që t’i bëhet një pritje e madhe dhe të nderohet ashtu siç e meriton Elis Guri, djali që u rrit mes shumë vështirësive në gjirin e Shkodrës, kaloi një mijë e një probleme në Tiranë, për tu shpallur Kampion bote me Bullgarinë, e padëshiruar edhe nga vetë ai, por e vetmja zgjidhje për të sepse vendi i tij e detyroi të largohet për të gjetur strehë mijëra kilometra më tej, në strofkullën bullgare që ia mundësoi medaljen e arit në botërorin e Turqisë.

 

Senad NIKSHIQI