Ka patur fatin që të marrë ai i pari kupën e ekipit kampion të këtij sezoni në basketboll për të rinj. Edison Rrashketa mban shiritin e kapitenit të Vllaznisë dhe pas finales së fituar me Tiranën është zhvilluar edhe ceremonia e kurorëzimit të ekipit kampion ku padyshim që ai ka përjetuar emocione të mëdha. I ndjen edhe sot kur duke folur në lidhje me këtë sezon të fundit, për gazetën “SHKODRA SPORT” shprehet: “Ka qenë një sezon i shkëlqyer i mbyllur në mënyrën më të shkëlqyer. Kjo falë punës së të gjithë djemve, i stafit tekni, i mbështetjes së zjarrtë të tifozëve tanë sidomos në ndeshjen gjysmëfinale dhe atë finale”.

Në finalen ndaj bardhebluve me lojën dhe pikët e shënuar, Rrashketa ka qenë ndoshta njeriu i ndeshjes por vetë ai nuk ka dëshirë të etiketohet i tillë prandaj shton: “Nuk më pëlqen të më quajnë heroi i finales sepse pa ndihmën e shokëve do ishte gjithçka e pamundur. Duke luajtur në mënyrë kolektive kemi zhvilluar një finale shumë cilësore, gjë që bëri të sjellim këtë trofe sërish në Shkodër”. Basketbolli i meshkujve sivjet ka dhuruar dy përballje Vllaznia- Tirana në finale, me të rriturit dhe me të rinjtë. Të parën shkodranët e kanë humbur por kompesuan diçka me fitoren e së dytës. Për Rrashketën që ka qenë edhe pjesë e ekipit të parë këtë sezon, e rëndësishme është që së paku një trofe erdhi në Shkodër. “Me fitoren ndaj Tiranës në finalen e të rinjve, u duk se në njëfarë mënyre 18 vjeçarët shkodranë “morën hak” ndaj këtij kundërshtari që i ka mundur me të rriturit. Vetë Rrashketa mendon se humbja e finales së të rriturve, nuk mund të kompesohet lehtë prandaj shton: “Ajo finalja e humbur e të rriturve është kompesuar deri diku me fitoren tonë por megjithatë “plaga nuk mund të shërohet plotësisht” por gjithsesi më vjen mirë që ne i sollëm Shkodrës një tjetër trofe të basketbollit”- shprehet ai. Po cila do të jetë e ardhmja e këtij sportisti tashmë që mosha e tij është për të kaluar tek të rriturit? Edison ende nuk e ka të qartë se çfarë do të bëjë në jetën e tij për shkak edhe të angazhimeve të shkollës por një gjë duket e sigurtë për të prandaj thotë: “Kam shumë pikëpyetje por basketbolli ka për të qenë një pjesë shumë e rëndësishme e të ardhmen time”.

Gjergj KOLA