Përfundon me sukses ndërhyrja kirurgjikale për mbrojtësin e Vllaznisë Antonio Marku. Pas diçka më shumë se një muaji, ai pritet t’i rikthehet sërish stërvitjes normale. Në këtë mënyrë, në harkun kohor të një muaji, klubi i futbollit Vllaznia ka mundësuar ndërhyrjet kijurgjikale për dy futbollistët e saj të dëmtuar. Kjo ngaqë fillimisht ka qenë mesfushori Ambroz Kapaklija që operua për një këputje të ligamentit të gjurit, operimi i të cilit u realizua në San Marino. Këtë herë rradha ka qënë për futbollistin tjetër kuqeblu, Antonio Marku. Pas një dëmtimi  në gjurin e djathtë që e shqetësonte prej kohësh, madje duke e penalizuar jo pak edhe në aktivizimin e tij në fushën e lojës, mëngjërashi i  mbrojtjes shkodrane, Antonio Marku është detyruar t’i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale.

Pas shumë ekzaminimesh të kryera, është dalë në konkluzionin se ka një çarje e meniskut dhe për këtë arsye, të dielen e kaluar në një nga spitalet private të kryeqytetit, klubi i futbollit Vllaznia ka mundësuar kryerjen e operacionit, i cili është realizuar nga ortopedi shumë i njohur në Itali, doktor Diego Ghinelli. Ai bën të ditur se ndërhyrja e quajtur artroskopi e realizuar nën shoqërimin e kameras ka shkuar më së miri dhe se tashmë pas një procesi tjetër me terapi profesionale mbrojtësi shkodran pritet që pas një periudhe një mujore të rikthehet në fushë për të vijuar përgatitjet me skuadrën. Futbollisti shkodran Antonio Marku numëron 108 ndeshje në kategorinë e Superliges së futbollit shqiptar, ku përpos Vllaznisë ka luajtur më herët edhe Dinamon, Laçin dhe Kukësin, ndërkohë që ka qënë pjesë edhe ekipeve kombëtare të të rinjve U-19 dhe Shpresa U-21.
© shkodrasport.com