Nesër në Shkodër do të luhet takimi Vllaznia- Luftëtari i cili pritet të përcaktojë shumë gjëra sa i takon fatit të vendit të katërt. Në opinion konsiderohet ndeshja e sezonit për kuqeblutë që me një fitore të mundshme, mund të arrijnë objektivin që i kanë vënë vetes. Por trajneri Armando Cungu mendon krejt ndryshe. Ai nuk e konsideron “ndeshje për jetë a vdekje”, por thjesht një përballje e rradhës që duhet fituar. “Unë nuk do ta quajë ndeshje të sezonit këtë përballjen me Luftëtarin. Natyrshëm që ekziston dëshira e madhe për të marrë vendin e katërt në renditje, nisur nga rrethanat që na erdhën në këtë fundkampionati.
Duke folur në aspektin profesional, jam shumë i kënaqur me ecurinë e ekipit sepse pas 6 vitesh, nuk e ka diskutuar kurrë mbijetesën madje erdhëm në një moment për të kërkuar edhe Europën. Besoj se ky është një progres i dukshëm, ky është një realitet, paçka se dikujt nuk i pëlqejnë këto gjëra dhe nuk duan t’i marrin parasysh këto shifra. Sa i takon ndeshjes përballë gjirokastritëve, duhet ta konsiderojmë si ndeshje të rradhës dhe jo si ndeshje “për jetë a vdekje”. Skuadra s’ka pse futet në presion për të fituar me çdo kusht. Dëshira ime është shumë e madhe për të fituar këtë ndeshje për shumë arsye, për ecurinë tonë, për dinjitetin e çdo sportisti, të klubit, të emrit të Vllaznisë, të qytetarëve të Shkodrës dhe tifozëve të saj. Nuk do të jetë për të fituar sepse përballë do të kemi një ekip shumë të fortë. Gabimi jonë i madh ndodhi tek ndeshja me Korabin dhe ai nuk na falet sepse sot nëse do ta kishim fituar atë ndeshje, nuk do të ishim para një presioni për të fituar me çdo kusht ndaj Luftëtarit sepse do të na bënte punë edhe barazimi. Megjithatë nuk duhet t’i kthehem pas asaj çfarë ka ndodhur dhe po shohim përpara. Kemi probleme dëmtimesh edhe në këtë ndeshje por do ia dalim me lojtarët e tjerë që kemi në dispozicion dhe prandaj unë besoj tek fitorja nesër”- është shprehur për mediat trajneri i Vllaznisë Cungu.
© shkodrasport.com