Ish-mesfushori i Vllaznisë dhe trajner aktual i Vllaznia u-19 ka qenë i ftuar mbrëmë në Star Sport. Doçi ka komentuar për largimin e trajnerit Josa duke e cilësuar si një lëvizje që duhej të ndodhte ndodhta edhe më parë. Sipas tij skuadra duhet të rikthehet në identitet sepse edhe në ndeshjen e fundit ndaj Laçit u pa një ekip i lodhur në fushë.

Po ashtu Doçi thekson se ky pushim do i bëjë mirë ekipit. Kjo edhe në mënyrë që Miloti dhe Sinani që do drejtojnë tashmë të kenë akoma më shumë kohë nën dispozicion për të shpalosur idetë e tyre ndaj skuadrës.

Doçi tha: “Mund të pritej një ndryshim i tillë tek skuadra, pra largimi i Joses dhe vendosja e dikujt tjetër në krye të pankinës. Në këtë rast do jetë dyshja Miloti-Sinani, ku gjej rastin t’iu uroj suksese në punën e tyre. Trajnerit Josa u duk se situata i kishte ikur nga duart sepse skuadra kishte disa kohë që nuk po i përgjigjej dhe ndoshta ndryshimi mund të ndodhte edhe më parë.

U pa edhe në ndeshjen kundër Laçit. Një Vllazni pa futboll, pa ego dhe pa dëshirë. Ku gabimet individuale të disa lojtarëve vendosën edhe fatin e ndeshjes. Uroj që kjo fytyrë e shfaqur e skuadrës në këto ndeshje të fundit apo edhe në total e gjithë kampionatit të ndryshojë. Në një moment ku jemi në 10 javët e fundit dhe Vllaznia ende nuk ka siguruar asgjë.

Rasti Latifi ? Mbi klubin dhe skuadrën nuk ka asnjë futbollist. Çdo individ duhet të jetë profesionist dhe të tregojë vlerat e tij. Besoj se ndëshkimi ka qenë i drejtë, por duhet parë nëse do vijohet kështu apo drejtuesit dhe lojtari do gjejnë gjuhën e përbashkët për një prapa kthehu për të mirën e skuadrës.

Pushimi i kombëtareve ? Besoj vjen në momentin e duhur për Vllazninë. Skuadrës i nevojitet pak qetësi në këto momente e po ashtu dyshes Miloti-Sinani pak kohë për të imponuar idetë e tyre të futbollit tek skuadra për vijimin e këtij edicioni, ku besoj se asnjë skuadër s’do ketë asgjë të sigurtë deri në javët e fundit të tij”.
Endri ÇINARI