Humbja e fundit e Vllaznisë në shifrat 3-2 ditën e djeshme nuk është pritur aspak mirë në Shkodër. Një ndër ata që ka komentuar këtë disfatë të kuqebluve është edhe Edmond Doçi. Trajneri i Vllaznisë u-19 e cilësoi si një humbje që “djeg” shumë, por gjithashtu ka kritika për futbollistët që sipas ish-mesfushorit ia bënë shumë të lehtë kundërshtarit me gabimet e tyre.

Doçi tha: “Pashë me të vërtetë një ndeshje të çuditshme. Në futboll ndodh që kundërshtari të shënojë 3 gola, por thuajse asnjëherë 3 gola në vetëm 3 aksione. Kjo është ajo që bëri Erzeni e patjetër që duhen vlerësuar për grintën e shpirtin e garës. Diçka që e kanë treguar gjatë gjithë kampionatit.

Edhe tek Vllaznia pashë dëshirë, por po ashtu shumë rrëmujë në mënyrën se si donin ta zgjidhnin ndeshjen. Aksionet nisnin pa një qëllim të caktuar dhe kjo ndikoi shumë në rezultatin përfundimtar. Unë mendoj se ndeshja iu bë më e lehtë Erzenit nga ana e futbollistëve të Vllaznisë.

Goli i dytë dhe i tretë që pëson ekipi janë totalisht neglizhencë e mbrojtjes dhe gjithë ekipit në përgjithësi. Janë gjeste të pajustifikueshme për një lojtar profesionist. Aksionet ndiqen deri në fund, qofshin apo jo në pozicion jashtë loje. Gabime individuale apo edhe ekipore që nuk duhet të ndodhin duke parë cilësitë që mbart skuadra.

Besoj se edhe futja e Kainas për të bërë një dyshe me Balajn në sulm ishte shumë e drejtë në fund. Por unë do preferoja që të mos largohej Hoxhaj në ato momente, pasi do ndihmonte shumë në lojën në krahë me kroset dhe futjet e tij. Duke parë që në vijën e parë tashmë ishin dy sulmues shtatlartë.”
Endri ÇINARI