Atletika shkodrane ka marrë sukseset e fundit në aktivitetin e zhvilluar në Elbasan para pak ditësh. Për këto arritje të Vllaznisë ka folur edhe një prej trajnerëve të kuqebluve, Bruno Rrotani.

Ai theksoi se pavarësisht disa vështirësive në këtë fillim viti, shkodranët ia dolën mbanë të marrin sërish suksese. Gjithashtu Rrotani thekson se garën e kanë me “veten” që të përmirësohen nga aktiviteti në aktivitet.

Rrotani tha: “Ishte aktiviteti i parë i vitit dhe ndoshta pavarësisht disa dëmtimeve apo edhe gjendjes gripale të disa sportistëve, ne ia arritëm sërish. Morëm shumë vende të para me atletë tashmë të njohur si: Burraj, Çardaku, Idrizaj, Çangeli, Kiri, Rama, Duka, Guri dhe Kopliku. Tek femrat vijon të shkëlqejë Erisa Rrasa.

E ndërsa një atlet i prespektivës është edhe Çardaku, për të cilin do dëgjojmë shumë në të ardhmen. Pasi para pak kohësh ka thyer edhe një rekord që kishte mbi 20 vite që nuk thyej të ish-atletit të mirënjohur Bregu.

Atletika është mbretëresha e sporteve dhe i ka sjellë Shkodrës trofe më shumë se çdo disiplinë tjetër sportive. Prandaj është një krenari për këtë qytet dhe jo vetëm.

Diferencat e mëdha me të tjerët ? Ne punojmë çdo ditë dhe pavarësisht se ndoshta janë përpjekur të na rivalizojnë, ne sërish ia kemi dalë të jemi të parët. Duhet falenderuar edhe grupi i trajnerëve që janë shumë të dedikuar e po ashtu atletët që gjithmonë japin më të mirën.

Ne garën e kemi me “veten” , që të përmirësojmë performancat tona dhe rekordet. Këtë e kemi treguar shpesh e madje duke dërguar edhe atletë në evente ndërkombëtare”.
Endri ÇINARI