Elbasani ka fituar dje pa probleme përballë Kastriotit. Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena”, të besuarit e Nevil Dedes triumfuan me rezultatin 3-1. Me këtë fitore Elbasani ngjitet në vendin e dytë me 25 pikë të grumbulluara, 4 më pak se Bylis i vendit të parë. Pas kësaj sfide, për mikrofonat e MCN TV, ka folur mesfushori i Elbasanit, Edon Hasani i cili ishte edhe autori i golit të tretë për skuadrën e tij.
“E nisëm mirë ndeshjen, u futëm për 3 pikët. Pasi ekipi kaloi 3-0 kaluam në një lloj vetëkënaqësie dhe është hera e dytë që na ndodh. Na ndodhi me Luzin është diçka që besoj duhet ta rregullojmë por e rëndësishme është që morëm 3 pikët. Kur fiton ekipi duhet kaluar me një analizë por duhet të rrimë me këmbë në tokë.
Profesor Dede është gjithmonë kritik pasi do më të mirën, por kjo gjë na shërben dhe neve pasi fusim një marrsh më tepër. Është hera e parë që luaj në Kategorinë e Parë dhe ka ca specifika të veçanta nuk është njësoj si në Superligë. Superliga është më taktike, ka më shumë rregull kurse Kategoria e Parë ka ca fusha që janë specifike dhe ca terrene që nuk janë të mira.
Bylis, Flamurtari dhe Vora janë të trija rivale dhe janë ndërtuar për të dalë në Superiore, por unë i shoh të rëndësishme fushat me Burrelin, Korabin dhe Kastriotin, janë ndeshje që duhen fituar. Ekipi duhet të ketë karakter në këto fusha për të bërë diferencën në këto ndeshje, kam besim në këto ndeshjet me 3 skuadrat që përmende ti, pasi mendoj që e kemi më të lehtë dhe për tu shprehur”, tha Hasani.