Kaosi me Ligën Profesioniste dhe përçarja e klubeve e paralajmëruar nga “Panorama Sport” prej ditësh konfirmohet tashmë edhe nga vetë drejtuesit e ekipeve. Është presidenti i Luftëtarit, Bekim Halilaj, ai që ka shpërthyer pas zhvillimeve më të fundit, ku si sekretar i përgjithshëm i Ligës u emërua Dritan Kadia.

INTRIGAT – Kreu i klubit gjirokastrit tregon intrigat e mbledhjes së Ligës, paralajmërimin e Libohovës për largim dhe emërimin e Kadisë, që e cilëson një farsë të vërtetë. “Liga është një farsë dhe këtë po e konfirmojnë zhvillimet e fundit. Çudia më e madhe është që presidenti Edvin Libohova na propozon edhe sekretarin e përgjithshëm të Ligës, në vend që këtë ta bëjmë ne si drejtues klubesh.

Një ditë pasi u mblodhëm, ku vetë Libohova na tha se do të largohej pas debatit që kishte bërë me presidentin e Laçit, na dërgon ’email’ dhe e bën fakt se sekretar do të jetë Dritan Kadia. As që kemi diskutuar fare për këtë emër. Nuk mund të vijë një drejtor stadiumi dhe pjesë e FSHF-së e të na zgjidhet në këtë post.

Boll kemi në këtë post Libohovën, që njëkohësisht është edhe zv.president i FSHF-së. Kadia mund të shkojë të merret me tenis, nuk ka punë te Liga. I vetmi diskutim ka qenë që Artan Shyti të kandidonte për sekretar, por mbledhja u prish pas debateve të Laskës me Libohovën. Me sa duket, ka qenë diçka e stisur edhe ky debat, sepse një ditë më pas, në një kohë që Libohova kishte thënë se do të largohej, dërgoi me ‘e-mail’ emrin e Dritan Kadisë.

Një farsë e vërtetë, sepse askush nuk e ka votuar këtë emër. Kjo është një Ligë që nuk i ndihmon aspak klubet. Zoti Libohova, meqenëse kërkoi vetë largimin nga Liga, le të japë dorëheqjen e parevokueshme. Të na e lënë ne klubeve ta zgjidhim vetë punën e Ligës”, është shprehur dje Halilaj për “Panorama Sport”.