Emanuel Egbo ka pishmane për ndeshjen në Durrës. Jo për zgjedhjet e tij, por për rezultatin. Vazhdon të jetë i bindur që ishte rastësia ajo që solli humbjen. Thotë se Tirana e ka treguar veten në fushën e lojës, ndërsa nuk fal gabimet në Durrës që duhet të ishin shfrytëzuar. Kategorikisht nuk u kthen përgjigje akuzave, duke thënë jashtë interviste se nuk merret me polemika, por vetëm me skuadrën e tij. Ja intervista e Emanuel Egbosë enkas për “Panorama Sport”.

Skuadra ka qenë më e qetë këto dy ditë?

Pas një humbjeje si ajo në Durrës, skuadrën që dje e pashë më të motivuar se kurrë, të qetë. U thashë edhe pas ndeshjes, një humbje e tillë do të vinte. Do të ndodhte në çdo kohë dhe e prisnim. Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, duhet të jemi me këmbë në tokë, të jemi të qetë dhe të bëjmë atë që dimë të bëjmë dhe kemi bërë deri më sot. Merremi vetëm me punën tonë dhe të japim maksimumin për ndeshjen e radhës.

Është radha e lojtarëve që në sfidat e radhës të tregojnë veten dhe t’u japin një mesazh skuadrave të tjera?

Mendoj se e kemi treguar veten deri tani. Unë jam i bindur që edhe humbja ishte thjesht rastësi. Këtë mendim timin e bazoj te loja që bëmë në pjesën e dytë. Ishte Tirana e zakonshme. Kemi krijuar raste pa fund, që për fat të keq nuk janë kthyer në gol. Minimumi mund të kishim barazuar ose do të kishim fituar. E përsëris për të gjithë. Jemi në rrugën e duhur për të arritur te titulli kampion.

I jepni shpjegim asaj pjese të parë?

Shpjegim unë nuk kam. Nuk e kemi pritur atë pjesë të parë, një skuadër shumë agresive. Në pjesën e dytë e mblodhëm veten dhe treguam se si mund të fillohet një takim, por ishte ndoshta vonë. Janë habitur edhe ata që kanë qenë në stadium, pasi janë surprizuar edhe me lojën e ekipit kundërshtar, që luajti shumë fort dhe mirë. Gjithçka që ndodhi në pjesën e parë na shpërqendroi. Në pjesën e dytë gjërat ndryshuan. Ndërtuam disa raste për gol. Bëmë Tiranën, por nuk ia dolëm këtë herë.

Përballë të premten keni Vllazninë. Është takimi ku duhet t’ua mbyllni gojën të gjithë kundërshtarëve?

Mos mendoni se Tirana ka ndonjë problem. Tirana do të vazhdojë të fitojë. Këtë e treguam në pjesën e dytë në Durrës. Do ta tregojmë edhe ndaj Vllazninë. Me ndihmën e Zotit do të marrim fitoren e radhës. Kjo është shumë e rëndësishme.

Mungon Çelhaka, rrezikon edhe Doka. Një shqetësim më shumë për ju në sfidën e radhës së kampionatit?

Të gjithë lojtarët te Tirana janë njëlloj. Janë titullarë. S’ka ndryshime. Nëse mungon një lojtar, e zëvendëson tjetri. Secili lojtar në sytë tanë ka vlerën e tij. Çelhaka ka vlerat e tij, ka bërë shumë mirë në atë pozicion, për më tepër që është djalë i ri. Doka po ashtu. Do të shohim në vazhdim se si do të mbyllim formacionin. Kemi disa alternativa në skuadër. Luksi ishte që me Kukësin të përballeshit me nëntë pikë avantazh.

Aktualisht jeni gjashtë pikë përpara…

Nuk ka problem nëse jemi gjashtë apo nëntë pikë. Ne i marrim ndeshjet një nga një. E rëndësishme është që të marrim rezultatet tona. Rruga jonë mbyllet në ndeshjen e fundit.