Humbja me Tiranën nuk e zbeh aspak cilësinë sportive që ka paraqitur Egnatia në 11 javët e luajtura në këtë sezon. Fakti që është ballafaquar denjësisht me këdo prej kundërshtarëve dëshmohet në shumë aspekte. Niveli i treguar dhe rezultatet aktuale e justifikojnë më së miri investimin e bërë nga presidenca.

Me treguesit e përmirësuar ndjeshëm në raport me sezonin e parë kur debutoi në Superiore vite më parë dhe sezonin e kaluar, dallohet qartë se te Egnatia nuk ka influencuar thuajse aspak faktori fushë (në “Arena Egnatia ka marrë 7 pikë), ndërkohë 8 pikë janë marrë jashtë shtëpisë.

INFRASTRUKTURA – Ajo që sot e bën Egnatian një skuadër serioze janë kushtet ideale të infrastrukturës. Tani në Rrogozhinë kanë dëshirë të luajnë të gjithë. Si ambientet e brendshme, ashtu dhe të jashtme të stadiumit shkëlqejnë. Ndërsa fusha e lojës është në gjendje ideale.

Kjo infrastrukturë që plotëson më së miri kriteret dhe madje javë pas jave, ka bërë që në këtë skuadër të afrohen dhe luajnë futbollistë potencialë. E po kështu të rritet edhe niveli i drejtimit edhe në pankinë, ku ardhja së fundmi e një trajneri me shumë përvojë si Shpëtim Duro, qartëson këdo për stadin e avancuar dhe lartësinë e investimit të gjithanshëm që është bërë te Egnatia, sidomos gjatë 3 viteve të fundit.

STATISTIKAT-Ky sezon vjen me përmirësim të dukshëm, pasi në të tretën pjesëmarrje të saj në elitë, këtë sezon janë të shumtë treguesit pozitivë të Egnatias. Statistikat flasin qartë për ecurinë më pozitive që ka shfaqur javë pas jave, edhe nga sezoni i parë debutues në Superiore që ka qenë në 2004- 2005, por edhe nga sezoni i kaluar.