Vllaznia do të luajë të mërkurën në orën 14:00 në Rrogozhinë një ndeshje shumë të fortë ndaj Egnatias, në duelin e kthimit për gjysëmfinalen e dytë të Kupës së Shqipërisë. Kujtojmë këtu se, ndeshja e parë e luajtur në Shkodër u mbyll në barazim 1-1 dhe tashmë kuqeblu do të kërkojë të fitojë me patjetër në duelin e kthimit.

Në fakt nga ana tjetër, edhe rrogozhinasit po kalojnë një formë të mirë, teksa kanë marrë dy fitore rradhazi në kampionat, madje me rezultate të pastra. Kështu që, skuadra e trajnerit Edlir Tetova do të kërkojë të bëjë të njëjtën gjë edhe ndaj kuqebluve, por kësaj here në Kupë, pasi i mposhtën thellë 0-4 në kampionat një javë më parë.

Megjithatë, duhet theksuar fakti se kjo ndeshje do të luhet pa praninë e tifozëve. Disiplina ka vendosur që Egnatia të luajë gjithë sezonin e mbetur pa spektatorë dhe si rrjedhojë, në këtë ndeshje në stadiumin “Arena Egnatia” të Rrogozhinës nuk do të mund të jenë të pranishëm as tifozët e Vllaznisë.

Kështu, kjo ndeshje midis Egnatias dhe Vllaznisë do të luhet në stadiumin e Rrogozhinës pa praninë e spektatorëve. Padyshim që, skuadra shkodrane do të kërkojë të ruajë Kupën e fituar sezonin e fundit, por se sa do të mund ta realizojë një gjë të tillë mbetet për t’u parë në ndeshjet në vazhdim.
Maringlen ZHIVANI