Vllaznia U21 u shpall kampion para pak ditësh, duke kurorëzuar kështu një sezon shumë të suksesshëm. Për këtë arritje ka folur edhe kapiteni i kësaj skuadre, Egzon Shimaj.
Mbrojtësi theksoi se u shpërblye puna e gjithë vitit, duke qenë se shkodranët ishin më të mirët e kampionatit. Po ashtu për të ardhmen e tij, Shimaj thekson se me shumë mundësi mund të largohet nga kuqeblutë.
Shimaj tha: “Jemi me të vërtetë të lumtur për arritjen që bëmë këtë sezon. Besoj se e kemi merituar në fundin e edicionit që të ishim kampionë. Kemi dominuar çdo kundërshtar dhe kemi pësuar vetëm 2 humbje gjatë gjithë sezonit. Ka qenë meritë e djemëve dhe stafit teknik, me në krye trajnerin Elvis Plori. Që patjetër arriti të lidhë një grup lojtarësh të rinj.
Tek ekipi janë të gjithë djemë shkodranë dhe nën moshën 21-vjeçare. Besoj se mund ti shërbejnë edhe ekipit të parë disa prej futbollistëve që kanë spikatur. Pavarësisht se ka pasur bashkëpunim mes ekipit të parë dhe atij u-21, nuk ka pasur mundësi aktivizimi për lojtarët e u-21 në Superiore. Kjo është disi për të ardhur keq.
E ardhmja? Mua më mbaron kontrata me Vllazninë në këtë fund sezoni. Nuk besoj se mund të vazhdoj me skuadrën. Jam në kërkim të një skuadre tjetër, që ka objektiva të qartë dhe ku unë mund të kem mundësi aktivizimi. Mundësi realisht që nuk i kam pasur tek Vllaznia në këto sezone”.
Endri ÇINARI