Është rritur tek Akademia e Dinamo Zagreb, por më pas ka shtegtuar në skuadra e vende të ndryshme, fillimisht në Austri e më pas në Slloveni, ndërsa në janar të vitit 2022 firmosi për Renovën në Maqedoninë e Veriut. Aty qëndroi për 6 muaj, para se të vinte në Shqipëri për të firmosur me Erzenin e Shijakut.

Spikati në sezonin e parë me të dhe si rrjedhojë, drejtuesit e Vllaznisë në verën e vitit 2023 u ulën në bisedime dhe thuajse e bindën për t’u veshur kuqeblu, por pengesë u bë një pikë e kontratës që ai kishte me shijakasit. Megjithatë këtë verë firma me skuadrën shkodrane u bë realitet dhe ai tashmë është pjesë e Vllaznisë.

E kemi fjalën për Amir Kahrimanoviç. Kroati 25 vjeçar ka firmosur dy ditë më parë për kuqeblutë ku shpreson që të arrijë ëndrrën e madhe, titullin kampion. Për momentin ai ndodhet pranë familjes së tij, por ndërkohë ka dhënë edhe një intervistë ekskluzive për gazetën “Shkodra Sport” ditën e sotme ku është shprehur:


– Amir, urime për kontratëm…

Faleminderit!

– Pse zgjodhët Vllazninë për të luajtur në sezonin e ri?

Ishin disa klube të tjera në Shqipëri, por dhe jashtë që më kontaktuan, por Vllaznia ka shfaqur interes për mua që sezonin e kaluar dhe po ashtu këtë sezon dhe i thashë “po” asaj. Vendosa kështu gjithashtu sepse tifozët e Vllaznisë kanë qenë gjithmonë të mirë me mua. Kam shumë miq nga Shkodra që më kanë telefonuar shumë herë për të ardhur te Vllaznia. Pa lënë mënjanë edhe faktin se Vllaznia është klub me histori të madhe dhe që dëshiron të jetë kampion.

Gjithashtu për trajnerin kam dëgjuar se ai është një profesionist i madh, gjë që më pëlqen dhe me të mendoj se mund të përmirësoj lojën time. Pra mund të them se në dy sezonet e fundit ka pasur gjithmonë një energji mes meje dhe Vllaznisë, prandaj kam ardhur aty.

– Me Erzenin nuk ia dolët të qëndronit në Superligë. Çfarë pritshmërish keni nga ky sezon me Vllazninë?

Të jem kampion, t’u jap tifozëve titullin që presin shumë, prandaj më solli edhe presidenti te Vllaznia.


– Tifozët kanë pritur prej vitesh një lojtar cilësor me nr:10. Cili është premtimi juaj për ta?

Punë e palodhur, përkushtim për të dhënë çdo ndeshje maksimumin nga vetja ime për bluzën e Vllaznisë në mënyrë që në fund të gëzojmë të gjithë sëbashku./www.shkodrasport.com/