Lajmi qe ka shqetesuar jo pak njerezit e sportit ditet e fundit, ai i reduktimit te ndjeshem te fondeve te Federatave sportive, fonde keto qe akordon çdo vit Ministria perkatese, ka qene edhe tema e bisedes me nje nga sportistet me te njohur ne vend, boksierin 9 here kampion te Shqiperise, fitues i titullit kampion bote ne Federaten UBO, Kristian Demaj.
Ne nje rrefim per gazeten “Shkodra Sport”, sportisti qe pak dite me pare eshte nderuar edhe me titullin e larte “Mjeshter i Madh” ndjehet keq me vleresimin qe pushtetaret i bejne sportit, qe sipas tij ne kete menyre si po veprohet, po shkon drejt rrenimit.
“Politikat e gabuara që janë hartuar për sportin në vite, e kanë bërë atë tashmë thuajse inekzistent. Mënyra si po veprohet e tregon qartë këtë gjë. Kam dëgjuar këto ditë që Ministria ua ka ulur rreth 60 % fondin Federatave sportive. E kam ditur prej kohësh se do të ndodhte kështu dhe po ia dalin me sukses ta shkatërrojnë sportin.
Kur e kam filluar unë sportin e boksit, në kampionatin kombëtar të të rriturve kanë qenë pjesmarrës rreth 110 boksierë, ndërsa në kampionatin e zhvilluar pak muaj më parë, kanë qenë rreth 30 apo 40 pjesmarrës, madje brenda këtij numri kanë qenë edhe disa boksierë kosovarë që lejohet të marrin pjesë në garat tona.
Pse ndodh kjo? Sepse Shqipëria po shpopullohet dhe të rinjtë nuk kanë dëshirë të merren më me sport. Kjo sepse post- karriera e një sportisti, sidomos të atyre të sporteve individuale është një dramë më vehte. Kur na shohin ne që kemi arritur diçka në karrierë duke përfunduar në rrugë të madhe, ato zgjedhin të mos merren fare me sport. Na shohin neve duke përfunduar në rrugë të madhe, duke shkuar në emigracion, në call center etj.
Ne e dimë atë shprehjen e famshme që është përdoruar gjithmonë “një person në sport, një person më pak në burg”, kjo për vetë edukatën që të jep sporti, për shëndetin e shumë gjëra të tjera. Unë provova t’i futem edhe politikës në moshë të re, pikërisht me synimin e qartë për të bërë diçka ndryshe për sportin, për të dhënë kontributin tim në ndryshimin e disa gjërave.
Isha i atij mendimit se më mirë se i di hallet e sportit një sportist, nuk i di askush tjetër. Dhe në fakt, kemi parë që drejtues të sportit apo kulturës në vendin tonë janë vënë në vite njerëz që nuk kanë qenë asnjëherë në jetën e tyre në stadium, pallat të sportit apo në teatër. Por shumë shpejt e kuptova se nuk mund të ndryshoja gjë. Ishte njëlloj sikur të bëja not kundër Drinit, prandaj nga politika kam hequr dorë.
Për t’iu rikthyer lajmit të ditëve të fundit, ishin 500 milionë lekë të vjetra të akorduara për vitin 2022 për 20 Federata Sportive. Çfarë mund të bëjë një Federatë me 20-30 milionë lekë në vit për të rritur cilësinë, për të zhvilluar kampionatet kombëtare dhe për të dërguar ekipin kombëtar në aktivitete ndërkombëtare të rëndësishme?
Si nuk ju vjen zor atyre që i bëjnë këto gjëra? Jam pa fjalë, ma turp se duhet të ndiejnë ato drejtues. Jam shumë i bindur se me këto politika që po ndjekin për sportin, shumë sporte nuk do të ekzistojnë pas pak vitesh”.