Elis Bakaj është një ndër emrat e njohur që po lakohet se mund të rikthehet te Vllaznia. Megjithatë, “Shkodra Sport” mëson se fantazisti nuk ka asnjë plan rikthimi në klubin shkodran për t’u veshur kuqeblu për pjesën e dytë të sezonit.

Në një komunikim me “Shkodra Sport”, Bakaj mohoi lajmet për një rikthim te Vllaznia, teksa konfirmoi se nuk ka ndërmend të kthehet fare në Shqipëri për të luajtur me asnjë skuadër të Superiores.

Në periudhën që ai ka luajtur me Vllazninë, zhvilloi 14 ndeshje, teksa shënoi edhe 6 gola, duke qenë një lojtar i rëndësishëm në atë periudhë 6-mujore, për të cilën luajti me kuqeblutë.

Megjithatë, nga tifozëria shkodrane, Bakaj do mbahet mend gjatë që në ndeshjen më vendimtare për ekipin e Vllaznisë, në atë periudhë, atë që përcaktonte mbijetesën ndaj Tiranës, ai nuk ishte në fushë, duke i braktisur kështu ata në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit.

Pjesën e parë të sezonit, Bakaj ka qenë pjesë e Rukh Brest në Bjellorusi. 34-vjeçari ka luajtur 15 ndeshje me ta, teksa ka shënuar vetëm dy gola në pjesën e parë të sezonit.. Kështu, Elis Bakaj nuk ka vendosur ende se ku do të vijojë karrierën, por një gjë dihet tashmë dhe është e sigurtë që ai nuk do të rikthehet të luajë me Vllazninë.
Maringlen ZHIVANI