Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Kevin Dodaj do të jetë lojtar i Lechia Gdańsk. “Shkodra Sport” mëson ekskluzivisht se sulmuesi shkodran do të largohet nga CSKA Sofia dhe do të transferohet te klubi polak, në një lëvizje që pritet të zyrtarizohet shumë shpejt. Sipas informacioneve të “Shkodra Sport”, Lechia Gdańsk ka arritur marrëveshjen për transferimin e 20-vjeçarit për shumën e 650 mijë eurove.
Nesër pritet të jetë dita vendimtare për Dodajn, i cili do t’u nënshtrohet vizitave mjekësore dhe më pas do të firmosë kontratën me klubin e ri. Në këtë transferim përfitim do të ketë edhe Vllaznia. Klubi shkodran zotëron 15% të kartonit të Kevin Dodajt, çka do t’i sjellë arkave kuqeblu një shumë prej rreth 90 mijë eurosh nga kjo shitje.
Ndërkohë, CSKA Sofia do të mbajë 20% të kartonit, duke ruajtur të drejtën për të përfituar edhe nga një transferim i ardhshëm. Dodaj ishte larguar nga Vllaznia drejt CSKA Sofias dhe sezonin e fundit ishte rikthyer në Shkodër në formën e huazimit. Megjithatë, në këtë sezon sulmuesi nuk është përfshirë në planet e klubit bullgar dhe nuk ka marrë minuta as në kampionat dhe as në kompeticionet europiane. Tashmë, destinacioni i tij i ri është Polonia.
Kevin Dodaj te Lechia Gdańsk, me Vllazninë që përfiton financiarisht nga rishitja e talentit të dalë nga akademia shkodrane. “Shkodra Sport” do ta ndjekë nga afër transferimin, ndërsa nesër priten vizitat mjekësore dhe firma që do ta bëjë zyrtare kalimin e Dodajt në Gdańsk.


