Orët e fundit të merkatos kanë qenë të hapura në disa vende të Europës deri në mesnatë. Një nga vendet që ka pasur të drejtë në lëvizjen e lojtarëve është edhe Sllovakia. E pikërisht në këto orë për “Shkodra Sport” konfirmohet transferimi i një futbollisti shkodran në ligën e dytë sllovake.
Bëhet fjalë për Elmir Lekaj që ka nënshkruar me skuadrën e Dolny Kubin. Ekip që militon pikërisht në ligën e dytë të Sllovakisë. Mbrojtësi i djathtë ka nënshkruar një kontratë 1-vjeçare siç bëhet e ditur për portalin tonë.
Me mundësi lëvizjeje në janar duke qenë se për 22-vjeçarin kampionati amerikan i futbollit vijon të mbetet një opsion shumë interesant. Për Lekajn e formuar tek akademia Vllaznia dhe po ashtu i aktivizuar tek ekipi i parë kuqeblu, kjo do jetë aventura e 3-të jashtë Shqipërisë.
Më parë ai është aktvizuar me Arbërinë dhe Ulpijanën në Kosovë dhe me Ajax Rabat në Maltë. Tashmë Sllovakia do jetë një eksperiencë e re në karrierën e tij, ku me patjetër i urojmë suksese në këtë rrugëtim.
Endri ÇINARI