Tek Vllaznia në vite kanë luajtur shumë futbollistë joshkodranë. Disa prej tyre kanë lënë gjurmë me aktivizimin e tyre, të tjerë edhe jo. Ka patur prej atyre që kanë qëndruar pak, por ka patur edhe prej atyre që kanë qëndruar gjatë. Më gjatë nga të gjithë ka qëndruar mbrojtësi lezhjan Dritan Smajli, plot 5 vite.

Aq sa edhe sot e kësaj dite, ai e quan veten “shkodran”. Ish- mbrojtësi i djathtë i kuqebluve tashmë ka nisur punë si trajner teksa drejton ekipet e moshave të Shënkollit dhe sot ka qenë për ndeshje në Shkodër. Me kënaqësi ka pranuar të flasë për periudhën që ka luajtur për Vllazninë, por edhe për gjëra të tjera.

-Smajli, e keni ende në mendje periudhën kur keni luajtur me Vllazninë?
E kam thanë dhe po e përsëris se Shkodra është dhe do të mbetet pjesë e rëndësishme e jetës time. Padiskutim që është shtëpia ime sepse kam kaluar pesë vite si futbollist këtu, tashmë kthehem si trajner kundërshtar por dashuria për këtë qytet, për tifozët, për skuadrën e Vllaznisë vazhdon akoma dhe biles edhe më tepër.

-Çfarë ka lënë më shumë mbresa Shkodra tek ju?
Në 2-3 vitet e para tek Vllaznia kam luajtur me një brez të artë sportistësh. Kur kam ardh vitin e parë skuadra ka luftuar për titullin kampion dhe e kemi humbur në ndeshjen e fundit me Tiranën. Ka qenë një brez lojtarësh i jashtëzakonshëm, të mos harrojmë të përmendim Sinanin, Grimën, Licin, Xhejms Boadun, Belishën, Kaçin, Sukajn e shumë e shumë të tjerë lojtarë cilësorë që për hir të së vërtetës sot Vllaznisë i mungojnë. I mungon gjaku shkodran, i mungon ajo lojë aq shumë e dëshiruar nga tifozët shkodranë, prandaj dhe Vllazninë e kemi në këtë gjendje sot.

-Pakkush tjetër “jabanxhi” ka qëndruar 5 vjet në Shkodër duke luajtur futboll. Ju ishit një përjashtim me sa duket, pse?
-Shumë vetë kur unë kam ardhur në Shkodër, më kanë thanë se nuk do e kapërdij dot Shkodrën, sepse është e vështirë, kërkon futboll tjetër e shumë gjëra të këtij lloji. Por në fakt, nuk jam menduar dy herë për të ardhur. Kurrë nuk e harroj telefonatën e profesor Cungut dhe nuk kam hezituar për asnjë moment sepse doja vërtetë të vija tek një skuadër që është e vështirë të luash futboll.

Kjo sepse një lojtar e shfaq veten ku është e vështirë sepse aty ku është e lehtë, e shfaq çdo lojtar. Unë erdha me shumë dëshirë, u ingranova shumë shpejt dhe ndoshta edhe një risi me mënyrën e lojës time sepse kisha karakter tjetër me lojën agresive ndërkohë që Vllaznia në atë kohë luante lojë akademike. Me këtë ndryshim që solla, ndoshta hyra në zemrën e tifozëve dhe ishin pikërisht ata arsyeja pse unë nuk tentova të largohesha për asnjë moment në ato vite sa do rrija në Shkodër.


-Me Vllazninë shkuat edhe deri në kombëtare..

-Po jam grumbulluar dy herë në kombëtare dhe padiskutim që kjo ishte për meritë të Vlllaznisë sepse e kam thanë dhe e them se Vllaznia më bëri ai që isha por edhe ky që jam sot. Mos të harrojmë se unë vërtetë kam filluar rrugën e trajnerit, por të luajturit me këtë trajner, të stërvitesha me shumë trajnerë, kam luajtur me shumë futbollistë dhe prandaj nuk është se do ta kem të vështirë të kem sukses edhe në këtë rrugë, kaq të gjatë dhe kaq të lodhshme siç është kjo e trajnerit. Megjithatë me karakterin që kam, besoj se do ia dal edhe në rrugën e trajningut.

-Së fundi, një mendim për Vllazninë e sotme?
-Çdokush mund të flasë për gjendjen e Vllaznisë sot, por unë nuk dua të flas për skuadrën e sotme, por për atë djeshmen kur ishte në Superligë dhe u rrëzua. Normalisht edhe unë kam qenë pak i ashpër në deklaratat e mia, por të them të vërtetën, e kanë merituar, jo pjesa më e madhe por të paktën 40 për qind e skuadrës e kanë merituar që të kritikohen, madje ashpër sepse erdhën, morën dhe nuk dhanë asgja.

Karriera e Dritan Smajlit me Vllazninë:
2008-2009 27 ndeshje- 0 gola
2009-2010 28 ndeshje- 0 gola
2010-2011 28 ndeshje- 0 gola
2011-2012 23 ndeshje- 4 gola
2012-2013 22 ndeshje- 7 gola

Totali: 128 ndeshje- 11 gola