Ky sezon nuk ka qenë ashtu siç edhe pritej për skuadrën e Vllaznisë, që nga një skuadër solide dhe me një paraqitje mjaft të mirë në kampionatin e kaluar, edhe pse bëri një merkato cilësore, duke afruar lojtarë të huaj, por edhe nga ata që kanë spikatur në elitë edicionet e fundit në disa ekipe, sërish nuk morën pikët që pritnin dhe kishin objektiv.

I këtij mendimi është edhe ish-trajneri i Vllaznisë, tashmë specialist futbolli, Shpëtim Duro. Në një intervistë për “Shkodra Sport”, Duro thotë se me afrimet cilësore që u bënë, përformanca dhe rezultat e skuadrës shkodrane, duhet të ishin më të mira, teksa u shpreh se është e pajustifikueshme diferenca aq e madhe nga Tirana, me plot 20 pikë, kur ka edhe 9 javë për t’u luajtur.

“Si e kam parë Vllazninë këtë sezon? Sigurisht që, pritshmëritë e Vllaznisë këtë sezon kanë qenë jashtëzakonisht të mëdhaja, duke parë që sezonin e kaluar luftoi deri në momentet e fundit për titullin kampion dhe këtë sezon me afrimet shumë cilësore, duke mbajtur bazën e skuadrës së sezonit të kaluar, ishte pretendente numër një për titullin kampion.

Kështu që, edhe ambjenti në Shkodër, nuk është i kënaqur me përformancën dhe rezultatet e skuadrës së tyre të zemrës. I këtij mendimi jam edhe unë. Eshtë e pajustifikueshme një skuadër me potencial shumë të madh të jetë 20 pikë diferencë nga skuadra kryesuese, që është Tirana. Kështu që, prisja një Vllazni që tani të ishte deri në momentet e fundit në luftë për titullin kampion.

Po, patjetër, duke patur parasysh zhgënjimin e madh të Vllaznisë në kampionat, por akoma më shumë të Partizanit, dy skuadrat bazuar edhe nga statistikat, më të investuarat në këtë sezon, së bashku me Tiranën, sa i përket kostos financiare. Them që të dy skuadrat do bëjnë të pamundurën që të shkojnë në finalen e Kupës së Shqipërisë, të paktën për të shpëtuar sezonin.

Eshtë më tepër një përballje interesante. Janë dy ndeshje dhe shanset për mendimin tim janë të barabarta, sepse kemi thënë edhe Vllaznia ka potencial të madh, por edhe Partizani ka lojtarë me potencial. Jo më kot, thashë që janë dy skuadrat më të investuara në kampionatin shqiptar, por i shikoj këto dy ndeshjet, edhe në Elbasan, edhe në Shkodër, të luftuara për të bërë maksimumin secila nga skuadrat. Kam mendimin se çdo gjë është e hapur, shanset janë të barabarta.

Patjetër që, Vllaznia i ka shanset për t’u kualifikuar në finalen e Kupës së Shqipërisë, përderisa unë e përcaktoj që duhet të ishte një nga skuadrat kryesore në luftën për titull këtë sezon. Kështu që, shanset i ka, ashtu si Partizani, edhe Vllaznia.

Finalja e Kupës së Shqipërisë dhe Kupa, është shpëtim për sezonin për këto skuadra të shumë investuara, por po e përsëris, nuk është normale, që me skuadrën jashtëzakonisht me potencial të madh që ka Vllaznia, të jetë 20 pikë larg Tiranës ose edhe Partizani ashtu edhe më keq, 25 pikë nga kreu i renditjes. Nuk e mbaj mend Partizanin në një distancë 25 pikë me rivalin e saj të përjetshëm, që ka qenë Tirana.

Me gjithë dëshirën e presidentit Xhaferi dhe me drejtuesit e klubit për të bërë diçka, por historia e Vllaznisë ka qenë jashtëzakonisht e madhe dhe pretendente gjithmonë.

Sigurisht, para shumë kohësh, unë e kam drejtuar Vllazninë, por janë situata totalisht të kundërta. Tani është një Vllazni, që lufton për trofe, duke patur parasysh që duhet të përcaktoj, qysh me hapin e kalimit të klubit në administrimin e një personi, siç ishte presidenti Alban Xhaferi. Qysh në vitin e parë, Vllaznia u tregua e suksesshme, duke fituar trofe. Kam mendimin tashmë që Vllaznia është në duart e presidentit Xhaferi, Vllaznia do të jetë një skuadër që gjithmonë do të luftojë për trofe.

Kjo ishte gjëja më e mirë që u bë. Kalimi i klubit nga Bashkia, tek një person i vetëm. Sigurisht që Bashkia është munduar jashtëzakonisht shumë për administrimin e klubit, por rezultatet kanë qenë jo të mira, sidomos kur klubi përfundoi në Kategorinë e Parë. Kështu që, këto 10 vite kanë punuar shumë trajnerë të mirë, shumë stafe teknike. Unë kam pasur fatin ta drejtoj. Kanë bërë çmosin, por mënyra e organizimit dhe përgjegjësia, nuk është e njëjtë. Jo më kot, Vllaznia ishte shumë e suksesshme edhe me epokën e presidentit Valter Fushaj.

Patjetër, kam kaluar mirë te Vllaznia. Kam nostalgji për kohën që kam punuar atje. Kam pasur një grup bashkëpunëtoresh, disa djem të shkëlqyer me Sinanin, Legatën, Grimën. Patjetër, Shkodra është shumë e veçantë dhe shumë mikpritëse për mysafirët.

Sigurisht, është shumë pozitive që një skuadër me traditë, siç është Vllaznia, këto dy vitet e fundit, po lufton për trofe. Do ndjekim dy ndeshje mjaft të bukura me Partizanin për tifozët, sepse është një ndeshje, që luajnë dy skuadra me traditë të futbollit shqiptar. Patjetër, do shikojmë dy ndeshje shumë të bukura, shumë interesante dhe për t’u ndjekur me vëmendje”,-mbylli prononcimin e tij, ish-trajneri i Vllaznisë, Shpëtim Duro.
Maringlen ZHIVANI