Nga Maringlen ZHIVANI

Mbrojtësi shkodran Elmando Gjini mbylli një sezon mjaft të mirë me Teutën, sidomos në gjysmën e dytë, ku ishte një titullar absolut i trajnerit Edi Martini dhe shpesh herë madje duke qenë edhe protagonist.

20 ndeshje për Gjinin, ku 17-prej tyre i ka luajtur në Superiore dhe 3-të tjera në Kupë, duke shënuar edhe dy gola, kanë bërë që qendërmbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë U-21, të jetë në shënjestrën e klubeve të ndryshme të huaja.

Burime për “Shkodra Sport” bëjnë me dije se disa klube të huaja kanë bërë oferta për Gjinin dhe shitja e këtij lojtari nga Teuta në një ekip jashtë Shqipërisë është vetëm çështje ditësh. Në fakt, nga sa mësohet, në klubin durrsak kanë mbërritur disa oferta për shërbimet e Gjinit, por presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, ka kërkuar kohën e duhur për t’i vlerësuar ato dhe më pas, edhe për të vendosur.

Kujtojmë që, Elmando Gjini është një lojtar i rritur në futbollin suedez, teksa më vonë është aktivizuar edhe për të rinjtë e Bolognas dhe Genoas në Itali./www.shkodrasport.com/