Uendi Vecaj e ka mbyllur aventurën e tij me Skënderbeun. Kështu pas një sezoni, sulmuesi anësor ka përfunduar bashkëpunimin e tij me korçarët.

Largimi i ish-sulmuesit të Vllaznisë dhe Teutës ishte paralajmëruar prej ditësh, ndërsa së fundmi një gjë e tillë është konfirmuar edhe për “Shkodra Sport” nga burime pranë shkodranit. Në këtë mënyrë, në vijim pritet të marrë formë zyrtare ndarja e rrugëve mes Vecajt dhe Skënderbeut.

Vecaj do të largohet si një futbollist i lirë pas vetëm një sezoni në Korçë, teksa tashmë sulmuesi shkodran është në pritje të ofertave zyrtare. Vecaj ka luajtur 13-ndeshje, duke shënuar edhe një gol gjatë këtij edicioni në Kategorinë e Parë me bardhekuqtë, por aventura e tij në Korçë nuk zgjati dot më shumë.

Vecaj e ndihmoi skuadrën për t’u ngjitur në Superiore, por nuk do të jetë pjesë e ekipit sezonin e ardhshëm. Kujtojmë këtu që, në të shkuarën 26-vjeçari ka patur një karrierë mjaft të pasur, ku ka qenë pjesë e Vllaznisë, Laçit, Teutës dhe Dinamos së Zagrebit.
Maringlen ZHIVANI