Rudi Vata është dhe duhet të jetë I qetë në punën e tij. Pavarësisht ndonjë opinioni që mund të ketë dalë nga ndonjë drejtues apo dhe pjestar I Bashkisë thjesht në rolin e tifozit, krerët më të lartë të këtij institucioni, njëkohëssiht edhe të klubit Vllaznia, kanë konfirmuar edhe dje mbështetjen maksimale për trajnerin Vata. Ka qenë vetë “presidenti” I klubit shkodran, më mirë të themi kryebashkiaku Lorenc Luka ai që për “Sporti Shqiptar”, ka konfirmuar këtë gjë:

“E kam ndjekur atë çfarë është shkruar e thënë ditët e fundit për trajnerin. Edhe ju si gazetarë nuk duhet të dëgjoni mendime individësh të veçantë që flasin ndoshta edhe si tifozë sepse krijohet një situatë e tillë në të cilën trajneri nuk është I qetë. Vata ka gjithë mbështetjen tonë maksimale për ta çuar deri në fund projektin e tij me Vllazninë dhe këtë nuk duhet ta vërë askush në dyshim”. Kryebashkiaku-president ka rikonfirmuar besimin e tij tek trajneri por në fakt edhe ky I fundit është shfaqur në ndonjë moment I lëkundur nga mungesa e rezultateve të pritshme. Megjithatë, fakti që çdo gjë po bëhet sipas shijeve të Rudi Vatës, tregon se ai do jetë gjatë në këtë skuadër. Mosfalja e Sukajt, lënia e merkatos në dorë të trajnerit, projekti për evidentimin e lojtarëve të rinj sipas shijeve të tij e shumë gjëra të tjera, janë fakte të mjaftueshme për të lënë të kuptohet se ky trajner do jetë gjatë në Shkodër. Kjo në fakt është një gjë shumë e mirë dhe që nuk ndodh shpesh në futbollin shqiptar. Duhet pranuar se Vata nuk I ka patur ende rezultatet e duhura në krye të kësaj skuadre por ai u përball gjatë kësaj periudhe me shumë problem dëmtimesh, kartonash etj. Po ashtu, në ndonjë ndeshje edhe gjyqtarët I kanë mohuar pikët dhe në këtë mënyrë, gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç duhet. Ndoshta nga këta faktorë edhe vetë trajneri është mërzitur disi por ai ka ardhur në Shqipëri për të futur ide të reja, për të futur mentalitet tjetër dhe kjo nuk është e lehtë. Pikësëpari sepse këtu të gjithë duan rezultate të menjëhershme dhe askush nuk e ka mendjen të presë gjatë. Trajneri aktual I Vllaznisë ka një favor se drejtuesit e klubit “I ka të ftohtë” me sportin. Ata e drejtojnë atë në mënyrë institucionale dhe kjo është shumë positive. Garancia që ka dhënë edhe dje kryebashkiaku Luka për trajnerin, është shumë positive sepse u tregon të gjithëve se projektet e nisura nuk do mbeten në rrugë. Ai sëbashku me institucioni që drejton, po punojnë edhe për rritjen e vlerës së klubit me shtimin e aseteve prandaj edhe mbledhja e Këshillit Bashkiak e pas disa ditëve do jetë interesante në këtë drejtim.

www.shkodrasport.com