Dje ai ka mbushur 15 vjeç. Bëhet fjalë për peshëngritësin shkodran Emanuel Lushi që premton shumë për të ardhmen. Ka qenë një ditë feste për këtë djalosh që shumë shpejt mund të promovohet si një nga më të mirët e këtij sporti.Në fakt, ai ka filluar ta shkruajë emrin e tij. Në vitin 2011 ka filluar të lërë gjurmë në këtë sport. Lushi është kampion me 17 vjeçarët, madje edhe me 20 vjeçarët e Shqipërisë.

Ndonëse në një moshë shumë të vogël, ai ka konkurruar edhe në garë me të rriturit dhe ka dalë nënkampion i vendit. Një befasi e madhe për shumëkënd por jo për trajnerin Muhamet Tuzi që vazhdon të flasë me superlativa për këtë sportist. “Jemi në rrugë të mbarë. Emanueli po punon në mënyrë të shkëlqyer me shumë pasion me nga dy seanca në ditë. Shoh rritje të vazhdueshme të parametrave të tij prandaj dhe kam besim se do të jetë shumë shpejt një emër i njohur i shtangës shqiptare”-ka thënë ai. Viti 2011 po mbyllet dhe ndonëse është periudhë festash, ritmi i stërvitjeve për këtë sportist nuk ka rënë. Ai vazhdon të djersijë dy herë në ditë përkrah Xhulio Prronit, një tjetër sportisti që pretendon të arrijë majat më të larta. Ndonëse është herët për të menduar për vitin tjetër, Emanuel Lushi sigurisht që pretendon një titull Europë për 17 vjeçarët. Atë që ka bërë Erkand Qerimaj vite më parë. Trajneri Tuzi është i bindur se ai ka për t’ia dalë ndonëse është vetëm 15 vjeç. Dhe meqë është periudhë ditëlindje, gazeta sportive online “www.shkodrasport.com” i uron Emanuelit: “Edhe 100 të tjera të lumtura dhe sa më shumë sukses në karrierën tënde”!

www.shkodrasport.com