Tre nga futbollistët më të mirë të Vllaznisë në sezonin e kaluar, pikërisht Ndriçim Shtubina, Blazho Rajoviç dhe Abraham Alechenu, do kthehen sërish në Shkodër. Por kuptohet jo për të luajtur sërish me skuadrën shkodrane. Ata do të kthehen për të luajtur nesër ndaj Laçit, ndeshje që siç është bërë e ditur do të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi” për shkak të dënimit të fushës së Laçit. Shtubina, Rajoviç e Abraham mbeten ndër pikat më të forta të skuadrës vlonjate dhe kuptohet që drejtuesit e kësaj skuadre nuk do hiqnin dorë kollaj nga shërbimet e këtyre futbollistëve.

Në Shkodër ndonëse kanë kaluar më tepër se katër muaj që është larguar malazezi Rajoviç, tifozët e shumtë kuqeblu vazhdojnë “ta qajnë” këtë largim. Ata në çdo moment, mbrojtësit aktualë të Vllaznisë i krahasojnë me Blazhen dhe kuptohet që diferencat janë të mëdha mes tyre. Për ta zëvendëuar atë këtë sezon ka mbërritur në Shkodër po një malazez, Petroviç për të cilin në fillim u tha se ishte më i mirë se Rajoviç, por krahasime të tilla duken qesharake sepse nivelet e tyre janë ku e ku. Edhe për Shtubinë, tifozët shkodranë mendojnë se duhej të ishte në skuadrën e tyre por ndoshta vetëm sezonin e ardhshëm mund të bëhët kjo gjë. E rëndësishme është që nesër Shtubina, Rajoviç dhe Abraham, do jenë në Shkodër. Veçse për të luajtur me Flamurtarin kundër Laçit.

www.shkodrasport.com