Ditët e fundit po flitej shumë se Vllaznia ka paguar në arkat e Korabit për kartonin e portierit Avernold Qyrani. Realisht, klubi kuqeblu po kërkon një portier, i cili do të rivalizonte me Kristi Qarrin për një fanellë titullari, por nga sa ka mësuar “Shkodra Sport”, nuk bëhet fjalë për Qyranin.

Në fakt, si alternativë e Kristi Qarrit, do të afrohet portieri tjetër i Korabit, pikërisht ai që ka luajtur si titullar me këtë ekip në sezonin që lamë pas, Jurgen Mehidri.

“Shkodra Sport” ka mësuar se klubi i Vllaznisë ka arritur marrëveshjen me Mehidrin, teksa “gardiani” 25-vjeçar ka zhvilluar mjaft performanca pozitive me skuadrën dibrane.

Mehidri është pjesë e Korabit prej janarit të vitit 2019. Më parë, ai ka luajtur me Vorën, Tërbunin dhe Laçin. Tashmë, Mehdri duket se do të rivalizojë me Kristi Qarrin për një fanellë titullari mes shtyllave të skuadrës së Migen Memelli, por më favorit për të qenë portieri i parë është “gardiani” shkodran.

Me afrimin e ish-portierit të Korabit, Vllaznia gjen edhe pasuesin e Bojan Zogoviç, i cili e mbylli me kuqeblutë pas tri viteve të kaluara në Shkodër. Realisht, edhe nëse Zogoviç do të qëndronte, ishte planifikuar që ai të ishte portier i dytë dhe jo më i parë, teksa do t’i “jepej dora” dhe mundësia e aktivizimit Kristi Qarrit.
Maringlen ZHIVANI