Në fillim të sezonit zgjodhi të largohej nga Vllaznia ndonëse ajo u rikthye në Superligë dhe iu bashkua Flamurtarit të Prishtinës, po në Superligën e Kosovës. Portieri Erind Selimaj ndihet mirë në rradhët e kësaj skuadre dhe për koinçidencë në fakt edhe ajo, ashtu si skuadra shkodrane ndodhet në vendin e tetë dhe rrezikon për rënien nga kategoria.

Selimaj ka pranuar të flasë për “Shkodra Sport” teksa ka rrëfyer gjithçka për këtë aventurë, ka folur edhe për Vllazninë dhe po ashtu edhe për çështjen e portierëve që tek kuqeblutë në fakt ka krijuar jo pak probleme këtë sezon.

– Erind, jeni kthyer pranë familjes apo jeni sërish në Kosovë?

– Jo, jam në Kosovë. Deri të hënën na kanë thënë që do të jemi pushim. Meqë më duhet të qëndroj brenda, njëlloj është si atje si këtu në Kosovë dhe prandaj mendova të qëndroj këtu dhe të presim ndonjë lajm të mirë duke shpresuar në një përmirësim të situatës dhe rifillim të aktiviteteve.

– Si ka qenë ecuria juaj deri më tani me Flamurtarin e Prishtinës?

– Përgjithësisht e mirë. Ndjehem i vlerësuar nga stafi dhe drejtuesit e klubit. Gjërat kanë shkuar ashtu si duhet. I kam luajtur thuajse të gjitha ndeshjet si titullar, me përjashtim të ndonjë rasti kur kam patur ndonjë dëmtim apo karton.

– Ju kanë pritur mirë?

– Deri tani gjërat janë super, si nga organizimi ashtu edhe nga korrektësia e drejtuesve të klubit.

– Flamurtari ndodhet në vendin e tetë të renditjes. Cili është objektivi i tij këtë sezon?

– Të sigurojmë mbijetesën. Lufta është e vështirë por me ekipin që kemi dhe me presidentin që është gati për çdo gjë për plotësimin e kushteve tona, besoj se kemi për t’ia arritë. Megjithatë, ende nuk e dimë se çfarë do të bëhet sepse me këtë situatën e krijuar, ende nuk dihet nëse do të vazhdojë apo jo kampionati.

– Flamurtari juaj në vendin e tetë, por edhe Vllaznia në të njëjtin pozicion. E keni ndjekur atë?

– Po, thuajse në çdo ndeshje dhe sa herë që kam patur mundësi. Kam humbur vetëm ndonjërën kur kemi luajtur vetë në atë orar.

– Dhe cili është mendimi juaj për Vllazninë e sivjetme?

– Ka bërë lojëra të mira. Por, po të ishte pak më serioze, do të kishte qenë edhe më lart në renditje.

– Më serioze në çfarë drejtimi?

– Serioze në fushë dhe jashtë saj. Por kryesisht në fushë sepse aty është ajo çfarë shikohet. Pasqyra është fusha që tregon sa serioz është një klub.

– Çfarë mendimi keni për përbërjen e saj të sivjetme?

– Besoj se ka potencial për të qenë më lart në renditje me këtë përbërje që k aaktualisht ekipi i Vllaznisë. Kuptohet që ka vend për përmirësim, por duhet vetëm besim dhe seriozitetnga të gjithë për të arritur aty ku duhet të jetë Vllaznia.

-Edhe skuadra shkodrane ashtu si Flamurtari rrezikon për mbijetesë. Mendoni se do të rrezikojë deri në fund apo do ta siguroj shpejt atë?

– Me këtë fitoren e fundit ndaj Partizanit, nuk besoj se do të rrezikojë për rënien nga Superliga.

– Porta e vllaznisë ka shfaqur probleme. Ke nje mendim për këtë çështje?

– Porta është gjithmonë delikate në një ekip futbolli. Ajo ësht baza e ekipit. Por mënyra e trajtimit të këtij fenomeni tek Vllaznia nuk ka qenë e duhura. Jo gjithmonë është portieri fajtor për humbjen. Por në këtë rast ja kanë faturuar të gjitha porierit te vllaznia.

– Kur të përfundon kontrata me Flamurtarin dhe cila do të jetë e ardhmja jote?

– Kontrata më mbaron në verë. Ndoshta është herët të flasim për këtë çështje por jemi në kontakte të vazhdueshme për vazhdimin e kontratës. Çdo gjë do të vendoset kur të mbarojë sezoni.

– Dëshira juaj është të vazhdoj sërish tek Flamurtari edhe sezonin e ardhshëm?

– Pse jo, deri tani jam i kënaqur këtu. Por çdo gjë varet edhe nga ofertat e tjera.