Derbi i sotëm mes Partizanit dhe Dinamos, i vlefshëm për javën e 22-të të Kategorisë Superiore, do të zhvillohet në “Elbasan Arena” duke nisur nga ora 19:45.

Nëse shohim ndeshjet e fundit të zhvilluara nga të dyja ekipet në këtë stadium, mund të themi se Elbasani është më i mbarë për Partizanin.

Të kuqtë, në pesë përballjet e fundit që kanë luajtur në “Elbasan Arena”, nuk kanë humbur asnjë, teksa vetëm në betejën ndaj Kastriotit nuk kanë mundur të shënojnë. Gjithashtu kanë shënuar tetë gola dhe kanë pësuar tri herë.

Ndryshe ndodh me Dinamon, e cila për hir të së vërtetës nuk është se i ka shkuar mbarë në ndonjë stadium sivjet. “Nëndetësja” regjistron një fitore, dy humbje dhe po aq barazime në pesë betejat e fundit në Elbasan, teksa ka shënuar vetëm 1 gol, atë ndaj Kukësit, që i dha fitoren.

Ndërkohë, ata kanë pësuar dy herë në humbjet ndaj Teutës dhe Laçit. Sfidat ndaj Skënderbeut dhe Vllaznisë janë mbyllur në barazim.

BETEJAT E KËTIJ SEZONI – E sotmja do të jetë përballja e pestë për këtë sezon ndaj Dinamos dhe Partizanit. Në katër të shkuarat është parë një avantazh i ndjeshëm i “demave të kuq”.

Djemtë e Mehmetit kanë fituar dy ndeshje, ndërkohë që dy betejat e tjera janë mbyllur në barazim. Duhet të themi se dy prej sfidave janë zhvilluar në kuadër të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë dhe Partizani i ka eliminuar blutë pas një barazimi 1-1 dhe një triumfi minimal në kthim.

Fakti që bie menjëherë në sy në ndeshjet e fundit është se të dyja ekipet kanë shënuar maksimumi një gol për ndeshje në përballjet e këtij edicioni. Ky është tregues i qartë se pavarësisht faktit që Dinamo po kalon një krizë të thellë, e sotmja do të jetë një ndeshje e luftuar fort.