Ka provuar emocione të shumta në kampionatin shqiptar. Ka luajtur me skuadrat elitare të Superligës duke lënë edhe një vend të veçantë në kujtimet e tyre. Elis Bakaj, ish-sulmuesi i Partizanit, i Dinamos, i Tiranës, i Kukësit dhe i Vllaznisë rikthehet sërish në kampionatin shqiptar, por këtë herë duke “skanuar” detajisht futbollin bashkë me kujtimet e tij.

Prej 1 viti e ka lënë futbollin. Nuk e ka bërë publike dhe në intervistën enkas për Newsport.al tregon se sa të vështirë e ka ta thotë përmes medieve. Klasikja e Shqipërisë zbret të dielën në fushë. Tirana përballet me Vllazninë në stadiumin “Selman Stërmasi”. Cila skuadër do ta fitojë takimin? Përgjigjet i ka të gjitha, por sikurse dikur në fushë, driblon bukur dhe jep një “goditje” plot finesë.


– Prej disa vitesh larg Shqipërisë. Si e shikon futbollin vitet e fundit?

Normalisht, futbolli shqiptar është rritur. Kjo gjë është vërtetuar dhe me kombëtaren shqiptare, por edhe me lojtarët që kanë dalë vitet e fundit në kampionatin shqiptar, të cilët kanë bërë karrierë edhe jashtë Shqipërisë. Futbolli shqiptar është në rritje. Kjo është gjëja kryesore, që ka progres. Po bëjnë mirë në ekipet që luajnë. Kjo është gjë shumë e mirë sepse gjithmonë jemi në rritje. Sigurisht edhe infrastruktura ka ndryshuar. Mbaj mend unë kohën kur fillova futbollin. Është diferencë shumë e madhe.


– Duket që ai rivaliteti i dikurshëm në kohën e Elisit ka humbur. Mendimi juaj?

Më parë ishin 4 apo 5 ekipe që luftonin për të fituar kampionatin. Tani ka rënë. Kjo është në varësi të buxhetit. Të bësh një ekip kampion duhet edhe buxhet. Shumë presidentë nuk mund të japin aq para për të qenë sipër. Futbolli gjithmonë është i bukur. Pavarësisht se ne duhet të kuptojmë që futbolli pa buxhet, është i fikur. Nuk mund të bësh asgjë. Është vërtetuar dhe në kampionatin shqiptar që skuadra me emër si Partizani apo Dinamo kanë rënë në Kategorinë e Dytë. Megjithatë e rëndësishme është ajo që iu thashë më përpara. Po dalin lojtarë nga kampionati shqiptar të cilët po bëjnë mirë në Europë. Për mendimin tim, kjo është gjëja më kryesore.

– Ke provuar të veshësh fanelën e disa skuadrave në Shqipëri. Vlen të veçohen Partizani, Dinamo, Tirana dhe Vllaznia. Kujtimet më të bukura?

Harrove edhe Kukësin. (Qesh) Unë kam pasur fatin të luaj me ekipet më me traditë në kampionatin shqiptar. Kjo është një nga gjërat që mua nuk do të mbesë pishman tani që kam lënë futbollin. Për një fëmijë që nis futbollin, gjithmonë ëndërron që të luajë me ekipet më të mira të vendit të vet. Unë e kam pasur fatin të luaj me këto ekipe. Sigurisht kam qenë i priviligjuar që kam qenë pjesë e këtyre ekipeve. Jam krenar të them të drejtën. Nuk mund të them se cila është skuadra më e mirë. Nuk i mohoj asnjëherë ato që më kanë dhënë këto ekipe. S’mund të jap një emër se ky është vendi i parë apo i dytë. E konsideroj veten si njeri me fat.


– Goli më i bukur?

Në karrierën time futbollistike kanë qenë shumë gola, gati 150 të tillë si profesionist. Normalisht çdo gol ka rëndësinë e vet. Për një lojtar sulmues të gjithë janë të bukur. Pak rëndësi ka se si ti e shënon. Mund ta shënosh edhe me portën bosh, por edhe supergol. Për mendimin tim vlera është e njëjtë. Ka shumë momente të bukura, sikurse ka momente të vështira në futboll. Janë shumë gola dhe s’mund t’i kujtoj. U bë gati 1 vit pa futboll. Sinqerisht më mungon shumë futbolli i luajtur.


– Zyrtarisht, keni hequr dorë nga futbolli?

Po, po u bë gati një vit. Nuk e kam thënë publikisht sepse e kam pasur të vështirë të them të drejtën. Tani jam duke bërë kurse. Kam përfunduar kursin e drejtorit teknik, po bëj kurse për trajner. Për momentin po merrem me menaxhimin e lojtarëve që të transferoj sa më shumë nga Shqipëria. T’i çoj në këto vende që unë kam luajtur. Kam luajtur në 6-7 vende të Europës. Dua t’i shërbej futbollit tani në këtë drejtim. Tanimë jo si futbollist. T’i çojmë sa më shumë jashtë që të kenë progres të madh, edhe për Kombëtaren.

– A do të jeni një ditë trajner i një ekipi në Superligë?

Unë jam i mendimit që asnjëherë nuk duhet të thuash “Jo”. Jo më kot e thashë që po përfundoj kurset. Ka afërsisht 3 muaj. Jeta ime pa futboll nuk ka kuptim. Këto momente po merrem me disa biznese, por nuk krahasohen me emocionin që të jep futbolli. Normalisht shumë shpejt do të kthehem sërish aty. Më ka dhënë çdo gjë, është jeta ime. Do të kthehem si trajner, si drejtor, si menaxher, çfarë do mundësie të më vijë. Jam duke punuar tani për këto gjëra. Dua të kthehem aty ku unë ndihem më mirë.


– Në fundjavë Vllaznia përballet me Tiranën. Cila skuadër mendon se do të fitojë?

Unë besoj se është 50 me 50. Janë dy ekipe me traditë në futbollin shqiptar. Do të jetë një ndeshje shumë e bukur. Tirana në këto momente është në vend të parë, është një ekip me futbollistë cilësorë. Nga ana tjetër Vllaznia vitet e fundit ka bërë shumë mirë. Shanset janë 50 me 50. Të dy ekipet kanë lojtarë cilësorë, tani t’ia lëmë fushës së blertë.


– Kush mund të shënojë?

Nuk mund të jap emër. Mund të them një emër, por mund të dalë një tjetër që realizon. Mund të vijë nga stoli, ku askujt s’ia pret mendja. Futbolli ndaj është i bukur se është i paparashikueshëm. Nuk mund të them një emër lojtari. Shanset janë më shumë për sulmuesit. Por, ndonjëherë këto ndeshje te rëndësishme, shumë herë i zgjidhin lojtarët e mbrojtjes. Tifozëritë dihen, si Tirana ashtu edhe Vllaznisë kanë mbështetës me traditë. Le të fitojë ekipi më i mirë në fushë.


– Për kë bën tifo?

Të them të drejtën, jam në një situatë që s’mund të bëj tifozllëk me asnjë. Siç e thashë më lart, kam luajtur me shumë ekipe. Do të isha hipokrit nëse do të thoja jam me këtë, por nuk jam me tjetër. Fundja e fundit unë kam luajtur me shumë skuadra. Unë u uroj ekipeve ku kam qenë më të mirën sepse jam paguar te ato ekipe, kam punuar dhe kam miq. Të fitojë më i miri.

– Gara duket e zjarrtë në Superiore. Cilin ekip sheh kampion në fund të sezonit?

Tirana po, Partizani është mirë, Vllaznia po ashtu. Kukësin s’mund ta heqim. Këto janë ekipet që gjithmonë kanë luftuar për kampionatin në vendin tonë. Unë them se nuk kanë një diferencë të madhe. Diferencat do të bëhen me ekipet që janë poshtë. Kush do të marrë pikët e plota, me këto skuadrat që janë nga vendi i pestë dhe poshtë. Niveli është pak a shumë i njëjtë.

– Do e ndiqni klasiken nga stadiumi?

Do mundohem të jem. Nuk e di sa kohë do të kem, por do mundohem të jem aty.


– Fanatics, Guerrils apo Vllaznit Ultras?

(Qesh) Ti po më provokon mua tani. Jo më kot e thashë dhe më përpara. Janë tifozët më të mirë të futbollit shqiptar. Futbolli pa tifozë nuk ka kuptim. Futbolli luhet vetëm për tifozët. Duhet t’i afrojmë sa më shumë në stadium. Si lojtar që kam qenë më përpara, unë kam respekt për të gjithë këto tifozëri që ju thatë. Kam luajtur me këto ekipe, më kanë përkrahur. Në një rast mund të kenë thënë ndonjë gjë. Megjithatë futbolli ndaj është i bukur se i ka të gjitha. Ka edhe gëzimin, ka edhe momentet e vështira./newsport/