Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, vazhdon të jetë në formë të mirë, duke marrë vlerësime nga mediat përtej Adriatikut. Mbrojtësi shkodran shkëlqeu edhe në ndeshjen e fundit të kampionatit në Serie A, në fitoren 3-0 ndaj Cagliari-t në “San Paolo”, duke dhënë ndihmën e tij edhe në fazën sulmuese, pasi në fazën mbrojtëse as që diskutohet që ka bërë detyrat shumë mirë.

 

Pikërisht nga vlerësimi maksimal, ka bërë që mbrojtësi ynë të përfshihet në formacionin më të mirë të fundjavës së shkuar në Serie A, bazuar në notat e vendosura nga portali i specializuar në përpilimin dhe analizën e statistikave “whoscored.com”. Mbrojtësi shkodran ka qenë një ndër 4 futbollistët e Napolit të përzgjedhur në formacionin e javës, me notën 7.4, ndërsa më i miri i javës u shpall mesfushori i Lazio-s, Luis Alberto, që shënoi dy gola në përmbysjen 6-1 ndaj Sassuolo-s. Sipas “CIES Football Observatory”, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, tashmë vlen 10.7 milionë euro më shumë se në vitin e kaluar dhe është padyshim futbollisti shqiptar më i shtrenjtë në histori. Vlera minimale e Hysajt në merkatos ishte 48.7 milionë euro në muajin korrik, ndërkohë që tashmë është 59.4 milionë euro, duke u renditur i 70 në renditjen botërore.