Elvin Beqiri, trajneri aktual i Tërbunit dhe një nga legjendat e Vllaznisë ka komentuar së fundmi për ndeshjen Vllaznia-Partizani. Ish-mbrojtësi vuri theksin se ndeshja mori drejtim tjetër pasi shkodranët u ndëshkuan me të kuq. Gjithashtu ai ndalet edhe tek skuadra e tij duke vlerësuar rezultatet e fundit pozitive që ka marrë.

Beqiri: “Mund të them se për mënyrën se si u zhvillua loja në fillim, Vllaznia duhej të ishte fituesja e sfidës. Patjetër që ndeshja ishte në transfertë dhe kundër Partizanit, por u pa qartë se kryeqytetasit nuk ishin në gjendje ta përballonin Vllazninë. Gjithçka ndryshoi në momentin e daljes me të kuq të Hakajt.

Aty pastaj ekipi do tërhiqej për të mbajtur rezultatin dhe do theksoj se sërish ishte një episod ku mbrojtja nuk ishte vendosur si duhet që Vllaznia pësoi gol. Dua të përshëndes dhe vlerësoj tifozët e Vllaznisë që po tregojnë nga ndeshja në ndeshje që janë lojtari i 12-të i ekipit. Janë me të vërtetë të mrekullueshëm.

Tërbuni? Morëm një fitore të rëndësishme në një transfertë të vështirë si ajo kundër Shkumbinit në Peqin. Një sukses që na mban në pjesën sipër të tabelës ku duam ta vijojmë këtë ecuri. Takimi i rradhës do jetë në Pukë ku do presim Maliqin. Patjetër me objektivin e fitores”.
Endri ÇINARI