Vllaznia luan të premten në orën 16:45 një transfertë delikate në Korçë kundër Skënderbeut. Për herë të parë këtë sezon, trajneri Tomas Brdariç nuk do të ketë asnjë prej mbrojtësve të krahut, pikërisht Erdenis Gurishtën dhe Esin Hakajn.

Kapiteni u dëmtua ndaj Partizanit dhe pritet të qëndrojë të paktën dy javë jashtë fushave, ndërsa Hakaj u ndëshkua me karton të kuq dhe është i detyruar të mos aktivizohet në këtë takim.

Në takimin e fundit, mbrojtësit të djathtë në fillim iu kërkua nga stafi mjekësor që të dilte nga fusha, por Gurishta këmbënguli për të vazhduar lojën, duke përkeqësuar gjendjen.

Rastësia ka bërë tashmë që trajneri Brdariç të jetë në Korçë pa asnjë prej mbrojtësve titullarë të krahut, që në rolin e vetë janë ndër më të mirët e kampionatit shqiptar.

Por, koincidenca më e madhe është se edhe vetë kreu i pankinës nuk do të jetë në stol. Ai ka plotësuar numrin katër të kartonëve të verdhë dhe këtë ndeshje është i detyruar ta shikojë nga tribuna, ndërsa si trajner i parë do të jetë pikërisht ndihmësi i tij, Elvis Plori.

Mungesa të sigurta janë edhe sulmuesit Ardit Hoxhaj dhe Mehdi Çoba, të cilët po vuajnë prej dëmtimeve.

SITUATA – Gurishta ka munguar vetëm për arsye kartonësh këtë sezon, ndërsa për Hakajn ky është takimi i parë që nuk do të jetë i gatshëm, teksa është lojtari më i aktivizuar i Vllaznisë, duke mos pushuar asnjë takim. Sipas të gjitha gjasave, në krahun e djathtë të mbrojtjes trajneri Brdariç do të spostojë Arsid Krujën. Sinjalet u dhanë që në ndeshjen me Partizanin kur la fushën Gurishta.

Nuk është hera e parë që Kruja e bën këtë pozicion, duke qenë pikërisht lojtari “xhol” në skemat e Brdariç. Sa i përket krahut të majtë, zgjidhja duket më logjike, pasi aty do të luajë Bulatoviç, që në fakt deri më tani është preferuar më tepër në qendër, herë me Adilin si partner dhe herë me Dianjen.

Në krahasim me ndeshjen e fundit kundër të kuqve, pritet që të rikthehet titullar në mesfushë një mes boshnjakëve Heriç ose Mustedanagiç.

Trajneri befasoi me rreshtimin kundër “demave”, duke mos preferuar asnjë mesfushor tipik qendre, përveç Krymit dhe Jonuzit.

Sa i përket pjesës tjetër të ekipit, pritet të rikonfirmohen të njëjtët lojtarë edhe ndaj Skënderbeut, me sulmin që duket i fiksuar tashmë me Latifin, Da Silvën dhe Gjurgjeviçin në majë.

Aralica e ka humbur vendin e titullarit prej javësh dhe më shumë i besohet maqedonasit.