Skënderbeu prek fundin dhe tani gjithçka duhet të rinisë nga e para. Pas shumë kohësh, korçarët e shohin veten në vendin e 10-të pas humbjes që pësuan me Egnatian, teksa gjërat për ekipin bardhekuq janë bërë më të vështira.

Java e fundit ka qenë e mbushur me probleme, teksa në Rrogozhinë skuadra numëronte gjashtë mungesa të sigurta, mes të cilave tri për probleme pezullimi dhe tri për arsye dëmtimesh. Mirëpo, e njëjta situatë përsëritet edhe në këtë takim në ndeshjen ndaj Vllaznisë.

Megjithëse Memellit do t’i rikthehen tre lojtarët e pezulluar si Randi, Sadriu dhe Zhan Viktor, edhe mbrojta do të jetë më solide, problemet do të vijojnë të ndihen.

Për ndeshjen e së premtes në kampionat, bardhekuqtë nuk do të kenë shërbimet e mesfushorëve Uerdi Mara dhe Kosta Vangjeli, të cilët kanë plotësuar numrin e kartonëve.

Kësisoj, Memelli mbetet pa dy prej mesfushorëve të qendrës, nga ku niste manovrën sulmuese. Për këtë arsye, dilemat vijojnë të jenë të shumta.

I vetmi lojtar ndërtues në këtë pikë të sezonit veç Marës te bardhekuqtë është Moraesh, por edhe ky i fundit me shumë mundësi do të jetë jashtë edhe për këtë takim.

Braziliani ka bërë mirë sa herë ka qenë në fushë, por problemet me gjurin e kanë lënë jashtë në tri javët e fundit. Për këtë, Memelli nuk e llogarit si lojtar të disponueshëm as ndaj Vllaznisë. Zgjidhja që korçarët po mendojnë është kalimi i Randit në pozicionin natyral, duke i dhënë përparësi Berishës që të luajë si ndërtues në këtë takim.

Me rikthimet nga pezullimi të tre lojtarëve, stafi do të presë deri në fund gjendjen e Jorgo Meksit, i cili ende po vuan dëmtimin në kavilje. Nëse mbrojtësi i djathtë ia del, atëherë pritet që të zhvendoset si mesfushor së bashku me Randin, për t’ia lënë mbrojtjen treshes kosovare të përbërë nga Vitija, Sadriu e Bajrami, ndërsa nga krahët do të luajnë Frashëri dhe Zguro.

Në këtë mënyrë zhvendoset Randi si lojtar qendre, së bashku me brazilianin Zhan Viktor dhe me Berishën në një krah, e Meksin në krahun tjetër, në mbështetje të Mensah në majë të sulmit.

Nëse Meksi nuk rikuperohet në kohë, do të jetë një balotazh mes Nikajt dhe Pusit për një fanellë në repartin e avancuar. Në ndeshjen ndaj Vllaznisë kërkohen me patjetër tri pikë, por duke ditur forcën e kundërshtarit dhe situatën e vështirë që ka aktualisht Skënderbeu, në kampin korçar janë të ndërgjegjshëm se të paktën duhet të shmangin humbjen.

Memelli po punon me ekipin më shumë nga ana psikologjike, për të rritur besimin te lojtarët pas humbjeve radhazi.